16 Mars 455 u vra nga kundërshtarët pinjolli i fundit i dinastisë Ilire Flavi të Romës

Në Romë, më 16 Mars të vitit 455, u vra nga kundërshtarët e tij Valentiniani III, pinjoll i fundit i dinastisë iliriane Flavi, që për shumë vite sundoi Perandorinë Romake. Ai veshi togën e purpurt të perandorit në vitin 425 në moshën 6 vjeçare. Regjente e tij ishte nëna e vet deri në vitin 437. Valentiniani III, erdhi në pushtet kur Perandoria Romake kishte marrë të tatëpjetën dhe atij iu desh të bënte luftra pambarim në trojet e sotme angleze, spanjolle dhe franceze, të luftonte me vandalët, saksonët, ostrogotët, allanet, etj. që synonin tokat dhe pasuritë e Perandorisë. Valentiniani III ka hyrë në histori si drejtues që u kujdes për përmirësimin e drejtimit administrativ të Perandorisë së pafund, për forcimin e ushtrisë dhe mbrojtjen e vendit. Ai kishte marrëdhënie të mira me Papën e Romës dhe i forcoi pozitat e tij, duke i njohur Atit të Shenjtë postin e kreut të sistemit gjyqësor.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare