21 Prill 1858, lindi patrioti Llambi Goxhomani

0
20

Ndër 75 deputetët e Këshillit Kombëtar, që u mblodh për herë të parë, më 21 Prill 1921, ishte dhe deputeti i Beratit, patrioti Llambi Goxhomani. Ai u lind, në lagjen “Mangalem” më 1858. Mbaroi gjimnazin e famshëm “Zosimea” të Janinës dhe më pas Universitetin e Athinës. Pas diplomimit për letërsi, punoi arsimtar në vendlindje, por u angazhua edhe me lëvizjen kombëtare. Bashkëluftëtari i tij Babë Dud Karbunara, kujton në ditarin e tij, se për këtë veprimtari, në shtator të viti 1905, Llambi u arrestua dhe u burgos nga autoritetet osmane. Por ai, nuk hoqi dorë nga puna për përhapjen e gazetave dhe librave në gjuhën shqipe. Ai ishte nismëtar dhe drejtor i gjimnazit arumun në Berat, ku mësohej gjuha shqipe. Përkrahu çetat e armatosura dhe më 28 Nëntor 1912, ishte ndër patriotët beratas, që ngritën në kohë me Ismail Qemalin flamurin kombëtar në qytetin e lashtë. Pas shpalljes së pavarësisë hapi shkollat shqipe në Lumas, Vokopolë dhe në Urën Vajgurore. Ishte pjesëmarrës aktiv në Kongresin e Lushnjës dhe Këshillin Kombëtar, prej nga doli delegat në Kongresin e Beratit, që shpalli Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, deputet në Parlamentin e parë shqiptar, deri sa vdiq me 1924.