30 Mars 1895, lindi në Shkodër Dr. Anton Ashta

Në qytetin e lashtë të Shkodrës, më 30 Mars 1895, u lind Dr. Anton Ashta, “Hero i Punës”, “Hero i Popullit” dhe “Hero i Luftës”, për çrrënjosjen e sëmundjes shoqërore të malarjes në vendin tonë. Studenti shkodran, iu përkushtua kësaj lufte që në auditorët e Fakultetit të Mjekësisë në Romë. Në ato vite të largëta, ai shkruante në revistën studentore “Shpresa e Atdheut”: “Lypset që Shqipëria të bëhet lulishte e bukur, me popull të shëndoshë e të fuqishëm”. Pas diplomimit, Anton Ashta iu përkushtua tërësisht studimit dhe luftës kundër malarjes. Më 1932, ai botoi monografinë “Malarja”, ku duke analizuar shkaqet e kësaj “fatkeqësie kombëtare” theksonte se “çështja nuk është vetëm mjekësore, por edhe shoqërore, higjenike dhe ekonomike”. Lufta e vërtetë për çrrënjosjen e malarjes filloi nën drejtimin e Dr. Ashtës, vetëm pas çlirimit. Ajo ishte një nga betejat dhe fitoret më të mëdha që u kurorëzua me sukses të plotë në një kohë rekord, gjë që nuk mund të mos vlerësohej jo vetëm brënda por dhe jashtë Shqipërisë. Për aftësitë dhe ndihmesën reale që ai dha në luftën kundër malarjes, për përvojën që ai e pasqyroi në studimin capital “Malarja në Shqipëri”, Organizata Botërore e Shëndetsisë e zgjodhi doktor Ashtën, anëtar të Komisionit të Ekspertëve të malarjes, ku ai dha ndihmesën e tij gjatë viteve 1957-1970.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare