Busti i Skënderbeut në Hungari do të ndryshohet

“Është vetëm maket, do të pësojë ndryshime e do të marrë tiparet me të cilat janë familjarizuar shqiptarët”, është shprehur ambasadori shqiptar në Hungari, Arian Spasse, pas reagimit të menjëhershëm që shkaktoi publikimi i fotos në faqen e Ambasadës në facebook, të dy fotografive që paraqisnin shtatoren e Skënderbeut që do të vendoset në Budapest, duke u konsideruar puna e skulptorit hungarez, Mihaly Gabor, se nuk kishte asnjë ngjashmëri me portretin e heroit.

“Është vetëm maket, do të pësojë ndryshime e do të marrë tiparet me të cilat janë familjarizuar shqiptarët”, është shprehur ambasadori shqiptar në Hungari, Arian Spasse, pas reagimit që ka shkaktuar publikimi në faqen e Ambasadës në facebook, të dy fotografive që paraqisnin shtatoren e Skënderbeut që do të vendoset në Budapest.

Në median shqiptare ka marrë një përmasë të paparashikueshme si ngjarje, duke shkaktuar edhe reagimin e menjëhershëm të piktorëve, studiuesve, si dhe skulptorëve për shkak se Skënderbeu i realizuar nga skulptori hungarez, Mihaly Gabor, nuk kishte asnjë ngjashmëri me portretin e heroit. Pas kësaj, ambasadori Spasse ka nxituar të sqarojë përmes një statusi, po në faqen e Ambasadës në Facebook.

“Duke marrë shkas nga disa reagime të miqve në FB lidhur me fizionominë e bustit të Skënderbeut që planifikohet të vendoset në Budapest, dëshiroj të sqaroj se maketi i paraqitur në foto është vetëm maket. Ai do të pësojë ndryshime deri sa të marrë tiparet me të cilat shqiptarët janë familjarizuar. Faleminderit për mirëkuptimin”, shkruan ambasadori Arian Spasse. Madje edhe dy fotografitë e mëparshme janë hequr nga faqja.

Pak ditë më parë ambasada shqiptare në Budapest, bëri me dije për vendosjen e një shtatoreje të Heroit tonë Kombëtar në Budapest, pranë monumentit të heroit hungarez Janosh Hunaidi. Por fotot e publikuara në rrjetin social, në FB, të ambasadës nisën xhiron në shpejtësi të rrufeshme duke nxitur edhe reagimin ndër shqiptarë. Skulptorë dhe pedagogë të Fakultetit të Arteve të Bukura pohojnë se statuja e heroit tonë kombëtar si vepër e skulptorit hungarez Mihaly Gabor nuk i referohet Skënderbeut. Sipas tyre Skënderbeu është një figurë që ka rol të madh në histori, por edhe në diplomaci. Për skulptorët Sadik Spahija, Artan Peqini apo dhe Ermir Grezda është një vepër e dobët artistikisht.

Për mediat skulptori i njohur, Sadik Spahija, i cili është autor dhe i një prej veprave të Skënderbeut në Shqipëri, është shprehur se është vajtuese statuja, që është prezantuar përmes fotove nga ambasadori shqiptar Arian Spasse.

Por, edhe nga pedagogë të Arteve Figurative është pohuar se statuja është e padenjë për të përfaqësuar heroin tonë kombëtarë, referuar artit të plastikës monumentale, që vuan si skulpturë nga një zgjidhje kompozicionale jo përfaqësuese.

Reagim të menjëhershëm dhe të ashpër ndaj kësaj pune u bë nga dekani i fakultetit të Arteve Pamore, Ardian Isufi, ku përmes rrjetit të tij social e quajti një “mënyrë artistike” skulpturën hungareze, duke tërhequr vëmendjen edhe për “injorancën” e institucioneve shqiptare.

“…nuk kam parë ndonjëherë Skënderbe më “impresionues ambig” por jo shqiptar… padyshim, mund të jetë hungarez, bullgar apo serb, por kurrsesi shqiptar!… fundi i fundit, sipas shprehjes së urtë popullore edhe kjo “mynxyrë artistike dhe historike nuk do zgjasë më shumë se tre ditë” dhe do ta ngulin aty ku e kanë paravendosur duke vazhduar të shtrembërojnë në mënyrë konstante historinë dhe kulturën tonë, por ajo çfarë më vjen keq është se palë në këtë rast bëhet edhe injoranca jonë institucionale e zyrtarëve tanë “par excellence”, që i kemi dërguar me taksat tona për të promovuar Shqipërinë dhe po e “ç’meritojnë” me sukses të paparë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare!”, ka thënë Isufi, duke sugjeruar se në Arkivat e Vatikanit ka me dhjetëra modele, gravura ku mund të interpretohej figura e Skënderbeut si Prijës dhe diplomat i shqiptarëve!

Por, dje me tërheqjen e tij, ambasadori shqiptar në Hungari, Spasse lë të kuptojë se “presioni” dhe reagimi nga Shqipëria është një shkundje e mirë veshi për institucionet shqiptare. Ndonëse pritet të shihet version përfundimtar mbi “maketin” e ndryshuar të Skënderbeut.

Marre nga mapo.al

Leave a Reply