Ekspozita “104-vjetori i Pavarësisë”, 28-30 Nëntor 2016

QMKSH me rastin e 28 Nëntorit, organizoi ekspozitën “104-vjetori i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”. Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës  dhe Muzeun Historik Kombëtar, përgjatë dy ditëve u ekspozuan Flamuj të rrallë, pena me të cilën u nënëshkrua “Akti i Shpalljes së Pavarësisë”, periodikë të vjetër shqip, etnologji e flamurit etj. Kjo ishte një nismë vullnetare e Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, që u shndërrua në atraksionin më të vizituar në kryeqytet gjatë festave të Nëntorit. Me një pjesëmarrje masive të mbi 1500 vizitorëve nga të gjitha trevat shqiptare, QMKSH në vijim të punës për të promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare, arriti të përhapë nje mesazh shumë kumbues. Ne shqiptarët e duam Flamurin e Kombit tonë.

flamuriikombit.al ishte një risi befasuese për median dhe publikun. Për të parën herë në Shqipëri, u prezantua Muzeu Virtual Flamuri i Kombit Shqiptar. Një burim me autoritet në përhapjen e dijeve dhe njohurive mbi  Flamurin Kombëtar. Me një përmbajtje dygjuhëshe, shqip/anglisht, Muzeu Virtual promovon simbolin më madhor të një kombi, Flamurin. Duke e sjellë të trajtuar në mënyrë integrale këtë tematikë, Muzeu Virtual, ofron një sërë rubrikash. Secila prej tyre shpalos nga një dimension të rëndësishëm të lidhjes së shqiptarit me shqiponjën dykrenare.

Në listën e gjërave për tu bërë në Tiranë për 28-29 Nëntor, media renditi këtë ekspozitë në vend të parë, si një destinacion për të mos u humbur. Dhe impakti ishte i madh. Në librin e përshtypjeve të vizitorëve lexohen shënime nga shqiptarë të Strugës, Tetovës, Prishtinës, Vlorës, Malësisë së Madhe, mbresa të vizitorëve italianë, etj. Nga një larmi grup moshash, më mbresëlënësit ishin vizitorët e vegjël që me kureshtje shikonin flamujt e vjetër. Pas kësaj ekspozite ata u larguan me më shumë njohuri për Flamurin, dhe më të lidhur me historinë e kombit të tyre.

Leave a Reply