Ekspozitë me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 20 Nëntor 2008

Dëftesa është një nga shumë objektet origjinale që janë ekspozuar me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, nga Shoqata Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë. Daton në vitin 1909 dhe është dëshmia e përpjekjes për botimet e para me alfabetin e njësuar.

Ajo është një fletë e zbukuruar, ka ngjyrë gri dhe kushtonte 20 franga në vitin 1909. Me të madhe shkruhet Dëftesë. Është një gjurmë, e ardhur deri në ditët e sotme, e përpjekjes së shoqërisë “Bashkimi i Kombit”, për të ngritur të parën shtypshkronjë që do të botonte me alfabetin e Kongresit të Manastirit. I përket koleksionistit korçar Niko Kotherja dhe është pjesë e ekspozitës që Shoqata Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë ka hapur me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit në qendrën Rizvani. Material origjinale, mbi 100 fotografi, që paraqesin veprimtarinë e klubeve patriotike që ndihmuan në hapjen e shkollave shqipe, botime para Kongresit me alfabete të ndryshme, botime direkt pas Kongresit të Manastirit, mbi 30 periodikë, gazeta dhe revista të asaj kohe në gjuhën shqipe, që kanë pasqyruar këtë aktivitet, janë ekspozuar me iniciativën e e vetë këtyre koleksionistëve. Kjo dëftesë kontributesh është dëshmi e veprimtarisë së kësaj shtypshkronje të parë e quajtur “Shoqëria Botoniëse Literare”, ashtu sikurse dhe librat e parë të botuar në të me alfabetin latin. Kryetari i kësaj shoqërie ishte Feim Zavalani, njëkohësisht edhe njëri prej delegatëve të Kongresit të Manastirit, nënkryetar një tjetër pjesëtar i familjes Zavalani, Izeti dhe arkëtar Gjergji Qiriazi. Në pjesën e pasme të saj ka një shkrim sqarues, që shpjegon qëllimin e mbledhjes së lekëve, si dhe kriteret që duhet të zbatonte blerësi i saj. Kishin format të njëjtë dhe secili mund të blinte një apo më shumë copë.

“Kjo ishte shtypshkronja  që botoi tekstet e para me alfabetin që u vendos në Kongresin e Manastirit. Botimet e para, që dolën nga kjo shtypshkronjë, janë shumë të rëndësishme për historinë e shkrimit të shqipes me këtë alfabet. Ajo u ngrit në vitin 1909 dhe botoi shumë libra në gjuhën shqipe, apo edhe tituj gazetash si ajo “ “Bashkimi” tekstet mësimore, abetaren e Parashqevi Qiriazit, revistën “Lahuta e Malësisë” të Kristo Qiriazit dhe shumë materiale të tjera që më pas shpërndaheshin nëpër gjithë Shqipërinë”, shprehet Kotherja.

Disa prej këtyre botimeve të kohës pas Kongresit të Manastirit ruhen nga koleksionistë të ndryshëm apo edhe në arkiva. Shpëtim Sala, kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, rindërton historinë e funksionimit të shoqërisë “Bashkimi i Kombit”. Ai tregon se Klubi i Bashkimit i Manastirit, i krijuar në fillim të shtatorit 1908, ishte qendrori dhe kishte marrëdhënie me mbi 60 klube në të gjithë Shqipërinë. Përmes tij shpërndahej edhe shtypi, që vinte nga Bukureshti apo Sofja. Manastiri ka qënë stacioni i fundit i trenit. Më pas, njerëzit udhëtonin me qerre apo karvanë. Por veprimtaria e kësaj shtypshkronje, e cila botonte dhe materiale në gjuhë të huaj, nuk do të vazhdonte gjatë. Sala tregon se, në vitin 1909, ajo u mbyll nga autoritetet turke të Manastirit. Pas këtij presioni, ata u detyruan të largonin Feim Zavalanin nga kryesimi i saj dhe të vendosnin një tjetër patriot shqiptar. Po kështu, ndryshoi edhe emërtimi i shtypshkronjës, e cila do të qëndronte hapur deri më 1911, kohë në të cilën do të mbyllej veprimtaria e saj. Kjo periudhë do të sillte edhe një farë rregulli ne botime.

Para Kongresit të Manastirit ishin bërë përpjekje për të shkruar libra, gazeta apo edhe për të mësuar shqipen, duke përdorur alfabete të ndryshëm, si ai osman, grek, sllav ose dhe atë latin. Po në kaq shumë alfabete botoheshin edhe abetare, apo libra të tjerë. “Deri para Kongresit të Manastirit ishte një luftë e alfabeteve dhe e abetareve. Pikërisht në këtë Kongres u konsolidua dhe alfabeti”, shprehet Sala. Edhe në ekspozitën që ata kanë hapur, ka një rrugëtim përmes fotove e dokumenteve në historinë para dhe pas Kongresit të Manastirit, ngjarja më e rëndësishme e gjuhës shqipe, që ka shënuar përvjetorin e 100 të saj.

Oliverta Lila

Gazeta “Shqip”

E ENJTE, 10 NËNTOR 2008

Leave a Reply