Frederik Stamati: Tekstilet më të vjetra të zbuluara në Shqipëri

Restauratori Frederik Stamati ka publikuar skica nga tekstilet e tipit damask më të vjetër të zbuluar në Shqipëri. Këto lloj tekstilesh thotë restauratori janë zbuluar në vitin 1983 nga arkeologia Hëna Spahiu në varrezën e kalasë së Dalmacës, që i takojnë shek. VI-VIII

Restauratori Frederik Stamati ka publikuar skica nga tekstilet e tipit damask më të vjetër të zbuluar në Shqipëri. Këto lloj tekstilesh thotë restauratori janë zbuluar në vitin 1983 nga arkeologia Hëna Spahiu në varrezën e kalasë së Dalmacës.

“Në atë kohë po studioja historinë e prodhimit të tekstileve nga paraardhësit tanë që nga ilirët dhe popullsia arbërore. Gjithçka bazohej në materialin arkeologjik”. Stamati ka kujtuar procesin e trajtimit të kësaj strukture të vjetër dhe problemet që janë paraqitur gjatë zbulimit dhe vështirësitë në marrjen e të dhënave nga ky material për shkak të dekompozimit të tyre, ku “dëshmia” u zbërthye në disa vizatime të thurjes, duke dhënë pamjen dhe si janë thurur fijet. “Gjatë gërmimit u tregua shumë kujdes dhe u nxorën disa fragmente tekstili, fragmente fare të vogla, të ngjitura në objektet metalike. Me shumë interes ishte një fletë e hollë prej hekuri të ndryshkur, jo më shumë se 10 cm katror, mbi të cilën ishin shtrirë gjashtë shtresa tekstili. Gjithçka ishte dekompozuar dhe kthyer në pluhur. Nuk mund të zbërthehej, sepse zhdukesh. Studimi u bë në laborator, duke vëzhguar fragmentet në stereomikroskop në zmadhimin 100 herë. Punova dy javë rresht, nga tetë orë në ditë. Në fund të tetorëshit shihja bardhezi dhe jo me ngjyra… Rezultatet e analizës janë paraqitur në disa vizatime të thurjes, ku jepet jo vetëm pamja, por edhe se si janë thurur fijet”. Nga studimi thotë Stamati rezultoi se tekstilet ishin të mëndafshta. Ato i takonin shek. VI-VIII. Pas procesit laboratorik rezultati lidhej me faktin se këto janë tekstilet e tipit damask më të vjetër të zbuluar në Shqipëri. Por jo si mëndafsh, tregon restauratori sepse tekstilet e mëndafshta i ndeshim për herë të parë në Apoloni që në shek. VII p.e.r.

A janë prodhuar këtu? Stamati jep përgjigjen: Jo. Informacioni që vjen është se në atë kohë kultura e mëndafshit, e ardhur nga Kina, sapo kishte hyrë në Ballkan. Studimet e kryera nga Rrok Zojsi tregojnë se në vendin tonë kultivimi i krimbit të mëndafshit filloi aty nga shek. XI. Por këto tekstile për specialistin kanë një rëndësi të veçantë, sepse tregojnë se popullsia e asaj zonë nuk ishte e izoluar, por kishte marrëdhënie tregtare të shumta. “Në vizatimin e fundit paraqitet se si kalonte një fije e vetme e ngjyrosur, e cila formonte motive gjeometrike që gjatë endjes. Pra, një pjesë e këtyre tekstileve kanë qenë të dekoruar me motive gjeometrike. Një teknikë të tillë e gjejmë edhe në tekstilet me dekorime gjeometrike të prodhuara edhe nga popullsia e Zadrimës gjatë shek. XX”. Studimi i plotë është botuar në revistën shkencore “Kultura popullore”, në vitin 1996, me titull “Fragmente dhe gjurmë tekstilesh të zbuluara në varrezën e Kalasë së Dalmacës”.

Marre nga mapo.al

Leave a Reply