Këshilla të vyera nga Z. Frederik Stamati

Në QMKSH, koleksionet merren seriozisht. Një Flamur Shqiptar, sendet që kanë të gdhendur simbolin e shqiponjës, apo tekstilet me këtë motiv, janë  fokusi ynë parësor. Por nuk mjafton vetëm ti evidentosh, apo të arrish ti kesh në zotërim këto objekte. Për një flamur të rrallë sfida e vërtetë fillon pasi e zotëron atë. Duhet konservuar me urgjencë, për të pezulluar proçeset që e dëmtojnë atë e më pas duhet menduar për restaurimin. Pa njohuritë e duhura, ky është një mision i pa mundur. Për këtë qëllim Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, ka nisur një proçes të gjerë konsultimesh. Ditën e sotme ishte i pranishëm Z. Frederik Stamati, studiues pranë Qendrës për Studime Albanologjike. Me nivelin e tij të padiskutueshëm të ekspertizës shkencore në fushën e restaurimeve, ai na këshilloi lidhur me disa rregulla themelore të konservimit, ruajtjes dhe ekspozimit të materialeve me përbërje tekstile. Me kënaqësi ne po ndajmë me ju disa prej këtyre këshillave.

  1. Temperatura e ruajtjes duhet të jetë maksimumi 12°C, ndërsa temperatura në ekspozim duhet të jetë maksimalisht 18°C.
  2. Elemino dritën e diellit dhe atë artificiale.
  3. Tipi i llampave tungsten, me dritë të ngrohtë.
  4. Lagështia relative, 40 deri 60%, niveli prej 65% i lagështisë përbën kufirin e alarmit.
  5. Intensiteti i ndriçimit maksimalisht duhet të jetë 50 lux, gjatë punës 20 lux, në ruajtje 0 lux.
  6. Ruajtja e tekstilit të bëhet shtrirë, pa palosje.
  7. Të mos ekspozohen varur, ose në vend të hapur.
  8. Të mos preken me duar pa doreza.
  9. Në rast të vendosjes së disa tekstileve njëri mbi tjetrin, të ndahen me acid free tissue.
  10. Dollapet apo sergjenet, këshillohet si më të përshtatshëm të jenë material inoxi, pas tij renditet materiali duralumini, e në fund llamarina e emaluar. Të shmanget absolutisht përdorimi i kartonëve, pllakave të zdrukthit dhe kompesatës.
  11. Për mbrojtjen nga insektet, duhet ulur temperatura në ruajtje deri në 11-12°C. Të bëhet kontroll i vazhdueshëm për infeksion. Të përdoren në mjediset e ruajtjes çarqe për identifikimin e insekteve.
  12. Duhen shmangur tymrat, pluhurat, bloza dhe ndotja nga përdorimi i sobave me gaz.
  13. Duhet shmangur ndotja nga tymrat e makinave.
  14. Duhen shmangur korentet e ajrit.
  15. Dinamika e temperaturës ± 1 °C në ditë.
  16. Dinamika e lëvizjes së lagështisë relative ± 5% në ditë.

Leave a Reply