Mes shqipëtarëve, për Shoqërinë “Përparimi” të Korçës dhuronte të holla edhe Edit Durham, QMKSH publikon listën e “ndihmonjësve”

Qëllimet madhore të një populli mund të plotësohen vetëm me mënyra e struktura që i përgjigjen për nga sofistikimi qëllimeve. Njerëzit e angazhuar me këto funksione lipset domosdo të kenë atribute të larta. Shembulli tipik për këtë na vjen nga shoqëria “Përparimi” e Korçës.

Sapo mbaroi punimet Kongresi i Elbasanit, klubet shqipe të pesë Vilajeteve, në vitin 1909 formuan në Korçë shoqërinë “Përparimi”. Qëllimi i saj ishte të hapte e mbështeste shkollat shqipe  (mësonjtoret). Të shqyrtonte paraprakisht dhe të botonte librat shkollorë. Kjo shoqëri mori përsiper të jetësonte disa nga vendimet e Kongresit të Elbasanit: Të organizonte mbi baza kombëtare punën mësimore në vend, ngritjen në trevat shqiptare të një sistemi të ri arsimor etj.

Pleqësia e “Përparimit” përbehëj nga:

Orhan bej Pojani     Kryetar

Stavre Karoli          Nënkryetar

Idomene Kosturi     Arkëtar

Hafëz Ali efendi       Kryesonjës

Sami bej Pojani       Kryesonjës

Mihal Grameno       Kryesonjës

Belul Efendi             Kryesonjës

Në librat e llogarive të kësaj shoqërie gjejmë edhe emrin e Edit Durhamit nga Londra. “Përparimi” i quante kontribonjës ata që dhuronin të holla, dhe për çdo donacion lëshonte një dëftese përkatëse. Parashikohej qartë që shoqëria nuk mund të hynte në borxhe, dhe pleqësia mbante përgjegjesi (ishte nën barrë), për çdo dëm te arkës.

Në rregullore janë të shkoqitur bukur si  elementet funksionale edhe ato konstitucionalë. Shoqëria  drejtohej nga një pleqësi prej 7 anëtarësh me mandate dy vjeçarë, por me të drejtë për tu rizgjedhur.  Nga këta tre mbanin përkatësisht postet e kryetarit, nënkryetarit,  arkëtarit, dhe sekretarit,  ndërsa tre ishin këshillonjës . Zgjedhjen e bënte nje komision prej 11 vetash nga të cilet 5, ishin përfaqësues të vilajeteve të Shkodrës, Manastirit, Shkupit, Janinës, dhe Klubit të Stambollit. 20 Gushti ishte  data për të mbajtur zgjedhjet, por këto nuk bëheshin pa qënë në Korçë 2/3 e përfaqësuesve të 5 vilajeteve. Në këtë kohë  do të auditohej edhe veprimtaria financiare prej komisionit. Parashikohej një protokoll i saktë për çdo rast të  perdorimit të vulës dhe përcaktohej kuorumi i nevojshëm që mbledhja e vendimet të  pleqësisë të konsideroheshin të vlefshme. Në rregullore përshkruhej me detaje roli e detyrat që duhet të përmbushte edhe sekretari (shkronjësi). Sipas një protokolli vendimet e pleqësisë mbaheshin shënim,  dhe të gjitha donacionet ishin të mirëpritura por duhej që të mos dilnin jashtë qëllimit të shoqërisë, dhe të përdoreshin sipas dëshires së dhuruesit.

QMKSH posedon llogaritë e “Përparimit”, shpenzimet, pasqyrën financiare  të shkollës “Normale” të Elbasanit, dhe listën e plotë të donatorëve.

Leave a Reply