Shkrimtarët rrëfejnë: Si i sjellim në jetë personazhet

0
198

Si i shkruajnë karakteret që të ndjehen gjallë? Kur sjell në jetë një personazh çfarë mendimesh e mundimesh lindin? A “përdorin” njerëz realë për karakterin e tyre? Këto çështje mbi sjelljen në jetë të karaktereve ua drejtuam një grupi romancierësh shqiptarë: Agron Tufa, Virion Graçi, Rudi Erebara, Ridvan Dibra dhe nga Kosova, shkrimtari Mehmet Kraja

Si janë shkruar karakteret që të ndjehen gjallë? Kur sjell në jetë një personazh çfarë mendimesh e mundimesh lindin? A “përdorin” njerëz realë për karakterin e tyre? Këto janë vetëm disa çështje mbi sjelljen në jetë të karaktereve në vepra, që ua drejtuam një grupi romancierësh shqiptarë. Prej disave morëm përgjigje të menjëhershme, ndërsa të tjerë kanë nguruar. Prej më shumë se dhjetë romancierë shqiptarë të pyetur nga të gjitha trojet, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni peripecitë morale dhe estetike të krijimit të personazheve prej tyre, nuk duken aq klasike.

Tradita e re letrare, e pas ’90-ës, vinte nga një hendek i thellë krijuar nga viti ’45, kur letërsia zyrtare e realizmit socialist zhduku individualitetin, duke krijuar “letërsinë” e kolektivit, sipas një skeme. Ndryshe nga letërsia klasike, ku pothuaj personazhi identifikohet me autorin, dhe shpesh shndërruar në modele krijuese, në letërsinë shqiptare për 45 vite krijoi një frakturë të rëndë estetike duke lënë gjurmë edhe pas ’90-ës.

Kështu në raste të pakta, kemi një skanim të qartë, të hapur, e të sinqertë rrugën e jetës që bën një personazh kur vjen në jetë. Edhe për autorë të huaj, që vijnë nga një trashëgimi letrare e lirë, që letërsia është në natyrën e saj, gjendje reale e të gjallë, pa deformime si procesi ynë letrar, është e vështirë të shpjegohen karakteret. Sfida për ta parë botën ashtu si mund ta shohë një karakter, një personazh, çfarë mendimesh kalojnë në mendjen e këtij personi, si ndihen ata për botën në të cilën jetojnë, çfarë dëshirojnë, cilat janë frikërat, çfarë i motivon kur ata ngrihen në mëngjes, për kë po luftojnë – përgjigje këto që mund të vinin natyrshëm tek një shkrimtar, ndërsa hedh në konflikte karakteret, pasi i ka njohur mirë ata. Kur vjen kuptimi rreth këtij personazhi, si ai ose ajo  bëhet realitet për një shkrimtar, shkrimi rreth tyre bëhet më i lehtë, si të shkruajnë për veten e tyre. Disa shkrimtarë preferojnë ta zbulojnë karakterin ngadalë, gjatë rrjedhës së librit, por të kuptuarit se kush është karakteri i tij, e ndihmon të shkruajnë më mirë. Mënyra më e mirë për të parë mbi autorët shqiptarë kemi ndërtuar këtë forum se si disa romancierë të suksesshëm i trajtojnë personazhet e tyre, dhe i sjellin ata në jetë për lexuesit. Disa i krijojnë totalisht karakteret, të tjerë përdorin njerëz reale, dhe disa kanë referencë vetveten duke vështruar aftësitë, njohuritë, profesionin, tiparët pa iu dhënë natyrë biografike…

***

Agron Tufa: E largoj vetveten si autor, kërkoj jetën e vet, autentike të personazhit

“Për mua, e rëndësishme është ideja e veprës, e cila lind si imazh i turbullt mendor e emocional. Pastaj më duhet një Atlas, që mund ta mbajë këtë Glob mbi shpinë, pra, një personazh që të ketë aftësitë dhe cilësitë e mbajtjes së një peshe të tillë. Krijimi i personazhit apo protagonistit qendror, duhet të shkojë në përputhje me ambientin autentik ku personazhi lëviz, mediton, përjeton e vepron. Pra, brenda ligjësive të kësaj bote, personazhi duhet të frymëmarrë, duhet të jetojë. Dhe unë “e lë atë të jetojë”, pa ia shtuar barrën mbi shpatulla, pa e sforcuar. Shkrimtari thjesht ndjek personazhin, gjakftohtë, dhe nëse e sheh si ai “po devijon”, i këshillon në përputhje me temperamentin dhe prirjen e tij, të ketë kujdes. Kështu, autori është një bashkudhëtar paralel me personazhin, që ecën nëpër rrugë të panjohura, në një aventurë imagjinare.

Por gjithmonë, parimi im është që ta largoj vetveten si autor: gjithçka e ka në dorë personazhi: ai duhet të ketë jetën e vet autentike, pa pjesëmarrjen time.

Në përgjithësi, përjashto rastet kur ndonjë vepër ka të theksuar natyrën autobiografike, unë nuk i përmbahem fare realitetit të gjërave të njohura, që kanë bërë vaki konkrete, sepse përndryshe, një vepër letrare që u përmbahet “fakteve” historike, katandiset në reportazh. Rëndësi për mua ka që shkrimtari të shtrijë krahun e lirë, gjymtyrën e imagjinatës (trilli, sajesa, fiktion-i). Edhe kur, në dukje, kam në dorë një subjekt të jashtëzakonshëm, real, në procesin e shkrimit nuk i përmbahem aspak atij, e shpërfill. Nuk është e rëndësishme çka ka ndodhur në të vërtetë, por çfarë projeksioni i jep imagjinata asaj historie. Në këtë kuptim, shkrimtari është një gënjeshtar, një sajues, sepse ai rikrijon një realitet të vetin, që është më i epërmi e më sublimi, kur ia qëllon. Gjasat që trilli të dalë përnjëmend i vërtetë, janë të shumta, madje më të shumta e të sakta se ngjarja e kanonizuar historikisht. Pra, ti shkruan për diçka që nuk ka ndodhur, por që fare mirë, pa e ditur ti, ajo ka ndodhur ose mund të ndodhë…

Shkruaj gjithmonë me intuitë, pa e paracaktuar një vijë paraprake ngjarjeje. Mbaj parasysh vetëm imazhin fillestar dhe parabolën.”

 

Ridvan Dibra: Personazhet që “kam sjellë në jetë”, variacione të vetes sime

“Në fakt, thuajse të gjitha romanet e mi, që nga i pari “Nudo” (Alfred Boka) e deri tek i fundit “Treni i muzgut” (Burri i Rozafës, Vëllai i Vogël), kanë një personazh kryesor, qendror: veten time.  Një “karakter” (më saktë, duhej thënë disa) gjithnjë mes dilemash e ankthesh, i “humbur” në një pyll pikëpyetjesh, në rrekje të vazhdueshme për ta njohur e për të arritur paqen me veten, domethënë edhe me të tjerët, kohën e mjedisin.

Në këtë kuptim, thuajse të gjithë personazhet që unë “kam sjellë në jetë” nuk janë gjë tjetër veçse variacione të vetes sime në situata, përvoja, gjendje e kohë të ndryshme.  Qoftë edhe në rastet kur e kam ndjerë nevojën e maskës, si për shembull atë të Gjergj Elez Alisë (romanet “Triumfi i Gjergj Elez Alisë” dhe “Triumfi i dytë i Gjergj Elez Alisë”), të Franc Kafkës (romani “Franc Kafka i shkruan të birit”), apo dhe në ndonjë rast tjetër. Jam i ndërgjegjshëm se një qasje e tillë në krijimin e karaktereve të romaneve, sjell rrezikun e rënies në autobiografi të zakonshme, çka do ta zbehte jo pak interesin e lexuesit për vepra të kësaj natyre.  Një rrezik të tillë jam rrekur ta mënjanoj, duke synuar të “rrëmoj” në thelbin tim, pikërisht në atë që më bën të ngjashëm me të tjerët, me ëndrrat, dëshirat, dilemat, disfatat e triumfet e tyre.  Gjithashtu, kam synuar që karakteret në romanet e mi (domethënë vetët e mia), përveç paraqitjes thjesht njerëzore, të fitojnë edhe një tharm metaforik e universal.

Sesa ia kam arritur, e gjykojnë të tjerët.”

Virion Graçi: Jam pjesërisht në të gjithë personazhet e mi, përkohësisht nën lëkurën e tyre 

“Në 8-9 romanet e mi të botuar përvoja ime për sjelljen në jetë të personazheve dhe të sjellurit e tyre, karakterizimi origjinal, ndërtimi e zhvillimi i historive komplekse, nuk kam vepruar përherë njëlloj. Në romanin e parë, (v.1995) kam vendosur shumë nga vetja te personazhi kryesor, mënyrën si mendon, si flet, si i ndërton e shmang marrëdhëniet me të tjerët. Po te ky libër, në një masë të madhe kam disa personazhe letrarë që janë të sjellë nga prototipat realë me po ata emra që kanë pasur në të vërtetë, e sigurisht, karakterizimi i tyre i jashtëm apo i brendshëm ka qenë riprodhim besnik i tyre, enkas e tillë në përputhje me konceptim tim kompozues.  Parë në përgjithësi, si tipologji, për ta sintetizuar përvojën time krijuese mund të them se në librat satirikë nuk mund të flitet për njehsim personazhesh letrarë me tipa të posaçëm; ekzagjerimet, karikaturizimi, grotesku të ndihmon t’i largohesh secilit tip që ke njohur e t’i afrohesh më mirë, më ndershëm asaj që mund të jetë e mund të quhet pa rezerva marrëzia e epokës, shëmtimi i saj, deformimi e gjymtimi i saj i gjithanshëm në mendësi, në moral, në humanizëm, në vlerat njerëzore e qytetare mbizotëruese. Në rrëfimet epike jo të natyrës groteske- humoristike kam ringritur nga kujtesa  për në letrën e librit fragmente të rëndësishme të vetes, të të afërmve të mi, të miqëve si dhe shumë njerëz të tjerë të cilëve ua kam ditur dramat, brengat, problematikat, dilemat, fizionominë  mendore, e u kam dhënë vendin e duhur në tablot e mia të jetës bashkëkohore shqiptare; për efekte artistike karakteristikat fillestare të personazheve të mi realë gjatë  konceptimit, shkrimit, përpunimit të romanit theksohen edhe më shumë, pasurohen, i jepet më tepër thellësi, gjerësi, nuancim, kontrast e denduri pasi tregimi artistik nuk e duron dot cektësinë, zbehtësinë; nuk e pranon dot gjatë rëndomtësinë, zvarritjen, sinkronizimin e kohës së ngjarjes romanore me kohën tokësore, me orën e zakonshme. Jam pjesërisht në të gjithë personazhet e mi, jo duke ia përshtatur ata modelit tim, por duke u vendosur unë përkohësisht nën lëkurën e tyre, në mendjen e tyre, në makthet, ëndrrat, hobitë a fobitë e tyre individuale a sociale.”

Rudi Erebara: Marr nga njerëzit tipare, por jo të imitoj një njeri të gjallë, si personazh

Si i shkruan karakteret që të ndjehen gjallë? Fituesi i çmimit evropian të letërsisë për vitin 2017, me romanin “Epika e yjeve të mëngjesit”, Rudi Erebara thotë: “Unë shkruaj në një fletore. Ndonjëhere edhe e vizatoj personazhin se si duhet të ngjajë. Pastaj me sytë e mendjes e ndjek nga sipër personazhin kudo të shkojë nëpër libër. Personazhi ecën përpara meje. E sheh i pari atë që do të ndodhë. Dua të them që në librat e mij unë nuk ia ndaj fatin që do të ketë. I përcaktoj vetes një farë kurbe zhvillimi dhe pastaj nis personazhin përpara. Më ka ndodhur që personazhi nuk ka shkuar andej nga i kam thënë shumë herë në romanin Epika e Yjeve të Mëngjesit. Sidomos personazhi i Kocit.  Më kryesorja është ta bëj personazhin të jetë edhe i gjallë me mish, por edhe t’i bjerë hija përtokë. Nuk e mendoj personazhin me tipare të fytyrës. E mendoj në fillim si gjatësi, ndoshta edhe si peshë. E mendoj si vëllim që duhet shtyrë përpara të lëvizë. Nuk i shikoj shpesh fytyrën personazheve. Ata ose ato janë zakonisht me shpinë nga unë. Kështu që më bie të mendoj kur i vendos dy personazhe përballë. Dialogu me bën të shoh personazhet në fytyrë. A “përdor” njerëz realë për karakterin e tyre? Erebara përgjigjet: “Ngjarjet në librat e mi janë ngjarje që kanë ndodhur vërtet. Personazhet nuk janë ata njerëz të vërtetë të cilëve u ka ndodhur historia. Megjithatë, njeriu është qënie shoqërore, edhe me dashje pa dashje do të përcjellë në vepër reflektimin e jetës që sheh për çdo çast. Marr nga njerëzit ndonjeherë tipare, apo gjeste, apo grimasa që i përdor, por kurrë të imitoj një njeri të gjallë si personazh. Jo, mendoj se kjo është e gabuar. Personazhi duhet të jetë po aq i gjallë sa çdo njeri, sa çdo lexues. Por ashtu siç ka një emër duhet të ketë edhe një jetë.

Mehmet Kraja: Personazhet janë vetja ime e shumëfishuar, reale dhe imagjinare

“Në atë pjesë të letërsisë, që quhet narrative, personazhi është i domosdoshëm. Përvoja e shkrimit të letërsisë tregon se nuk ka narracion pa personazh, nuk ka rrëfim pa bartës të veprimit. Në këtë pikë nuk besoj të ketë shumë dilema, pavarësisht nga mënyrat e ndryshme të interpretimit të fenomeneve letrare. Për një kohë të gjatë letërsinë narrative e dominoi personazhi përfaqësues, i personifikuar dhe i tipizuar, që ishte bartës i një “identiteti kolektiv”, për t’ia lënë vendin më vonë personazhit individualist dhe më pas atij të depersonalizuar dhe të “shpërbërë” (anti-romani). Së fundi, letërsia postmoderne gjurmon personazhin “dokumentar”, që shfaqet para lexuesit me pamjen e tij të vërtetë, pa shumë ndërhyrje letrarizuese. Tani, nëse në këtë kuadër të përgjithshëm përpiqem të vendos diçka që është më personale, që lidhet me përvojën time letrare, më duhet të them se ende nuk kam një siguri të madhe nëse personazhet e një rrëfimi ndërtohen në mbështetje të dijes letrare apo të përvojës jetësore. Fundja, për këtë le të mendojnë studiuesit e letërsisë, por ajo që ata nuk e thonë dot dhe nuk kanë për ta thënë kurrë është fshehtësia e procesit krijues. Enigmën e krijimit askush nuk e ka zbuluar tamam, aq më pak ata që flasin për letërsinë në mënyrë të objektivizuar, duke bartur kode interpretimi nga dijet dhe përvojat e paasimiluara, siç po ndodh te ne. Letërsia është krijim individual, një proces i fshehtë, subjektiv, unik, i papërsëritshëm. Edhe personazhet e janë të tillë, personazhet e mia gjithashtu: ata janë vetja ime e shumëfishuar në njëmijë pasqyra që reflektojnë projeksione reale dhe imagjinare njëkohësisht. Në këto projeksione askush të mos kërkojë të vërtetën jetësore, por të vërtetën artistike, e cila shkon përtej kufijve të së mundshmes dhe të besueshmes.”

Marre nga mapo.al / Violeta Murati

PËRGJIGJU

1 + 9 =