Shpëtim SALA: Xhevahiri i arkivit të tij të pasur është një koleksion me Flamuj Kombëtarë

Koleksioni

Nga Bardha Nergjoni

Ka të paktën 30 vjet që pasuron koleksionin e tij, por pasionin për të grumbulluar objekte të vjetra e ka pasur qysh në vogëli. Në shtëpinë e tij  gjen gjithçka: nga dëftesat e vjetra, mijëra fotografi, shqiponjën të punuar ngado, si dhe shumë libra. Ka mbaruar shkollën si zooteknik dhe ka dhënë mësim për shumë vite lëndë të ndryshme të bujqësisë, por pasioni i tij nuk do të shuhej asnjëherë. Dëshira e studimeve në histori apo letërsi u plotësua më pas kur Shpëtim Sala, bashkë me koleksionin e tij grumbullonte edhe libra të vjetër të cilët i ka studiuar me shumë dëshirë.

Tashmë është autor i më shumë se 10 librave, ka zbuluar fjalorin origjinal të Thimi Mitkos, ka përmbyllur shumë albume të fotografisë, shkollave, të klubeve shqiptare të rilindjes si dhe ka një qëllim, atë të hapjes së muzeut të parë privat në Shqipëri.

Pasionin e ka përçuar edhe tek djali i tij, ndërsa familja ka përjetuar pa shumë bujë “zaptimin” e shtëpisë nga objekte të vjetra, pjesë e një koleksioni shumë të madh që zotërohet nga Shpëtimi që drejton edhe rrjetin e koleksionistëve shqiptarë.

Çdo ditë e gjen një objekt të veçantë, e klasifikon dhe krijon fashikullin e radhës. Është ndër të rrallët koleksionistë që gjithçka e ka të sistemuar. Kërkon ndihmë për të bërë të mundur që gjithçka e grumbulluar  të jetë e ekspozuar për publikun pasi të gjitha këto objekte nëse nuk thithen nga publiku i gjerë, nuk kanë vlerë.

Për këto edhe të tjera, Shpëtim Sala, koleksionisti i objekteve etnografike sjell detaje interesante.

Ju keni mbi 10 mijë fotografi, 40 flamuj dhe objekte me shqiponjë, shumë dokumentacion shkollash, etj. Kur nisi pasioni i koleksionimit?

Pasioni për të grumbulluar objekte ka nisur qysh kur isha i vogël. Gjyshi im kishte shumë libra dhe objekte të vjetra. Sigurisht që gjatë periudhës së komunizmit nuk kishte shumë mundësi për të pasur një koleksion të pasur. Ndërkohë në kohën e demokracisë gjithçka ndryshoi. Ne mund të lëvizim lirshëm në shumë vende, mund të këmbejmë, mund të blejmë madje edhe në ebay. Pra jemi në kohën kur mundësitë për të pasuruar koleksione janë të shumta. Unë lëviz shumë dhe punoj shumë në kompjuter pasi çdo objekt që gjen e katalogoj duke shkuar drejt koleksioneve të plota.

Çfarë duhet të ketë parasysh një koleksionist?

Nëse do të ecësh përpara në një koleksion duhet të kesh një objektiv se çfarë kërkon. Shumë njerëz shohin një libër dhe nuk e vlerësojnë.  Objektet plotësojnë hojet e bletës, pasi nëse ke një pjesë atëherë mbledh një tjetër dhe dokumentet plotësojnë njëri-tjetrin.

 

Ju keni folur për një muze privat të flamujve. Si ju erdhi  ideja e grumbullimit të simboleve kombëtare?

Ka shpesh thirrje që bien ndesh me faktin që jemi në demokraci. Nuk mund të presësh në këtë kohë të dhurohen libra apo të grumbullohen koleksione për të cilat kontributi është tërësisht privat dhe me asnjë ndihmë nga shteti. Shumë muze janë mbyllur, disa nuk kanë asgjë në brendësi dhe ka shumë pak të tillë në të gjithë Shqipërinë. Ne jemi të gatshëm për regjistrimin e objekteve që kemi por ende nuk është gjetur një formë e duhur për regjistrimin pasi unë kam rreth 10 mijë fotografi origjinale. Flamujt ose më mirë objektet që kanë simbolin kombëtar janë grumbulluar ndër vite. Flamuri i parë është qëndisur nga gjyshja ime 1919-20. Nuk bëhet fjalë vetëm për flamuj por gjithashtu edhe për objekte të tjera që kanë simbolin kombëtar. Në këtë mënyrë mund të shikojmë evoluimin e shqiponjës në zona dhe objekte të ndryshme ndër vite.

Sa i përket muzeut shpresojmë shumë shpejt të bëhet realitet.  çdo flamur do të jetë i shoqëruar edhe me objekte të tjera etnografike me shqiponjë.

Nuk është se shqiponja është simbol vetëm popullit shqiptar. Ka familje fisnike në Itali që kanë simbol shqiponjën me dy koka por edhe në vende të tjera shqiponja është prezente.

Çfarë kërkon një koleksionist sot?

Në radhë të parë kërkesat i kemi tek vetja për të evidentuar të gjithë ato pasuri dhe të plotësojmë boshllëqet apo atë elementin e munguar në të gjithë mozaikun e një koleksioni. Ka pasur me qindra gazeta në gjuhën shqipe, ka pasur të paktën 70 orkestra frymore, të cilat synojmë t’i bëjmë më shumë të prekshme për publikun me anë të hapjes së ekspozitave dhe botimit të librave. Jemi duke hartuar enciklopedinë e fotografëve shqiptarë dhe jo vetëm me fotografinë vetë por të gjitha elementët që kanë lidhje me të. Të gjitha këto ne mundohemi ti mbledhim dhe nëse na thërret dikush atëherë hapim një ekspozitë për muzikën, fotografinë, shkollat, klubet etj.

Cila është kënaqësia më e madhe për një koleksionist?

Kënaqësitë tona janë të pafundme, pasi gjithmonë koleksionet ngelen me diçka mangët dhe nëse gjen diçka që të mungon në koleksionin tënd atëherë kjo është kënaqësia më e madhe. E kam më tepër tek fotografia dhe dokumentet  e shkruara. Nëse më mungon dhe e gjej një fotografinë me vulën e tij atëherë kjo është një mrekulli.

Po pengu më i madh?

Vetë koleksionisti duhet të frenohet disi pasi ka objekte që i kanë të tjerët dhe ti nuk mund ti kesh. pengjet janë të shumta por gjithmonë ka një kufi. mund të bëhem shumë keq nëse ju keni diçka e nuk mund ta blej. Në fakt nuk largohem kollaj derisa arrij tek ky objekt.

Leave a Reply