Më 13 Maj 1842, lindi Ali Mehmet Vrioni, atdhetar dhe personalitet i shquar i Rilindjes sonë Kombëtare. Ishte një ndër pjesëmarrësit e parisë të Shqipërisë së Jugut, që u mblodh më 1877, ku u diskutuan fatet e Shqipërisë dhe u hartua memorandumi, që ju dërgua qeverisë turke. Në këto takime, ai u njoh dhe miqësua me Abdyl Frashërin. Dy vite më pas, në prill dhe qershor 1879, Ali Mehmet Vrioni dhe Abdyl Frashëri ndërmorën një turne në kryeqytetet e pesë Fuqive të Mëdha, ku kërkuan nga diplomacia europiane, t’i jepej fund pretendimeve që u bëheshin shovinistëve dhe krerëve grek, në dëm të Shqipërisë dhe zgjidhjen e drejtë të problemit kombëtar shqiptar. Në tetor të po atij viti, ai mori pjesë në konferencën e shqiptarëve, që u thirr në Stamboll, nga e cila doli “Shoqëria e të shtypurit shkronja shqipe” ose “Shoqëria e shkronjëzave” apo “Shoqëria e Stambollit”, që drejtohej nga Sami Frashëri. Më pas, ai u zgjodh edhe në “Komitetin Qëndror për Mbrojtjen e Kombësisë Shqiptare”. Në të gjitha këto organizma, Ali Mehmet Vrioni ka luajtur një rol të rëndësishëm për zgjimin e ndërgjegjies kombëtare të shqiptarëve dhe mobilizimin e tyre në luftë me pushkë për clirimin e atdheut, deri sa mbylli sytë më 1893.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare
You may also like
-
23 dhjetor 910, vdiq Shen Naumi.
-
23 Dhjetor 1880, “Qeveria e Përkohshme” e Prizrenit; nënpunës shqiptarë dhe armatosje
-
23 Dhjetor 1903, u lind në Korçë Naum Stralla, ekonomist e pedagog
-
23 Dhjetor 1912, Shteti Shqiptar lëshon kredencialin e parë diplomatik
-
23 Dhjetor 1919, vullnetarët e Kelmendit në luftën për të mbrojtur Shkodrën, zunë 243 robër