Në orën 1:30, të datës 13 Qershor 1920, kur Esat Toptani, po dilte nga Hotel “Kontinental” i Parisit, mbeti i vdekur nga dy plumba, që derdhi mbi të Avni Rustemi. I riu demokrat, u arrestua dhe pas një gjyqi të bujshëm, u lirua si i pafajshëm. Esat Pashë Toptani, mbetet një nga figurat më negative, në historinë e popullit tonë. Në prill të vitit 1913, duke qënë komandant i forcave rezerviste të Shqipërisë së Mesme, që luftonin për mbrojten e Shkodrës nga rrethimi malazez, hyri fshehurazi në ujdi me armikun dhe ua dorëzoi Shkodrën malazezëve. Pas largimit nga Shkodra, ngriti në Shqipërinë e Mesme “Pleqësinë”, pushtet separatist, që iu kundërvu Qeverisë Kombëtare të Vlorës. Më 1914, si Ministër i Luftës dhe i Punëve të Brëndëshme në qeverinë e Vilhelm Vidit, sabotoi qëndresën e masave popullore për çlirimin e Shqipërisë së Jugut nga forcat greke dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Në tetor të atij viti, me ndihmën e reaksionit italo-serb, vendosi pushtetin e vet në Durrës dhe një vit më vonë, nënshkroi një marrëveshje me qeverinë serbe, në dëm të pavarësisë politike dhe tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Veprimtarinë e tij antikombëtare, e vazhdoi edhe në mërgim duke pretenduar, se përfaqësonte shtetin shtetin shqiptar në Konferencën e Paqes, në Paris. Kjo i shtyu forcat demokratike t’a likuidojnë, me dorën e Avni Rustemit.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare