Koreografia shqiptare, përkujton sot përvjetorin e ndarjes nga jeta të “Artistit të Popullit” Panajot Kanaçi. Ai është baletmaestri i parë shqiptar, themelues i baletit klasik. Fill pas luftës krijoi në Tiranë, një grup valltarësh, i cili, bashkë me grupin e Shtëpisë së Pionerit, u bë bërthama e baletit profesionist të mëvonshëm. Me krijimin e Filarmonisë së Shtetit, në vitin 1950, Panajot Kanaçi bëhet baletmaestri i parë shqiptar. “Dasma shqiptare” ishte hapi i parë i tij i madh, në rrugën e krijimtarisë. Në fakt në kuadrin e Filarmonisë, u përgatit edhe opera e parë, “Rusallka” e kompozitorit rus Dragomizhski, që u dha ditën e përurimit të TOB-it, më 27 nëntor 1953. Me këtë ngjarje, fillon puna e madhe për përgatitjen dhe shfaqjen e baleteve klasike “Shatirvani i Bahçirsarajit” dhe “Esmeralda”. Në vitin 1956, i krijohet mundësia për të ndjekur studimet, për regjizor baleti në Moskë. Shfaqja e parë pas diplomimit, ishte bareti “Françeska da Rimini”. Në vitin 1963, sipas libretit dhe regjisë të Panajot Kanaçit, u vu në skenë “Halili dhe Hajrija”, me muzikë të Tish Daisë. Ajo ishte vepra e parë skenike koreografike shqiptare, me të u hodhën themelet e baletit kombëtar. Atë do ta pasonin “Delina”, me muzikë të Çesk Zadesë, “Partizani”, me muzikë të Kosma Larës, “Familja e peshkatarit”, me muzikë të Tish Daisë dhe “Shote dhe Azem Galica”, me muzikë të Nikolla Zoraqit.Panajot Kanaçi, zbuloi e nxori në pah veçoritë, karakteristikat e të bukurën e traditës folklorike shqiptare, të valleve tona, i përpunoi dhe i stilizoi ato, duke i shdërruar në krijime artistike kombëtare. U nda nga jeta, më 15 Korrik 1996.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare