Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

16 Janar 1862, lindi Bajram Curri, tribun i vegjëlisë

Në Gjakovë më 16 Janar 1862, lindi atdhetari dhe demokrati Bajram Curri, udhëheqës për çlirimin e kombit, Hero i Popullit. Ishte një nga organizatorët dhe drejtuesit e Lidhjes së Pejës dhe një nga prijësit kryesorë të Mbledhjes së Ferizajt. Ndihmoi në ngritjen e shkollave e të klubeve shqiptare në Kosovë, mbrojti alfabetin shqip të miratuar në Kongresin e Manastirit, mori pjesë dhe drejtoi “Klubin Bashkimi” të Shkupit. Bajram Curri ishte luftëtar dhe drejtues në të gjitha  lëvizjet dhe kryengritjet kundër pushtuesit osman, në kryengritjet e Malësisë së Mbishkodreës, në kryengritjen e përgjithëshmë të armatosur të viteve 1910-1912, etj. U shqua si prijës e komandant në betejat në Qafën e Prushit dhe në Fushëkosovë. Me trimat e tij ai çliroi Shkupin dhe të gjithë vilajetin e Kosovës. Pas vitit 1912, Bajram Curri mbrojti Shtetin Shqiptar nga planet për copëtim dhe luftoi me armë për lirinë e Kosovës. Ai ishte udhëheqësi i  “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në Kongresin e Lushnjës Bajram Curri u zgjodh Anëtar i Këshillit Kombëtar dhe u rendit përkrah forcave demokratike të vendit. Qëndroi përkrah Nolit dhe demokratëve të tjerë në Revolucionin e Qershorit. Bajram Curri u vra nga agjentët e Ahmet Zogut në shpellën e Dragobisë në vitin 1925.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare

Exit mobile version