Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

17 Korrik 1907, lindi Kristo Kono, pedagogu, veprimtari dhe organizatori i jetës artistike shqiptare

Kristo Kono, kompozitori, pedagogu, veprimtari dhe organizatori i jetës artistike shqiptare, u lind në Korçë, më 17 Korrik 1907. Figura si ai kërkon koha. Mësues i muzikës në Liceun e Korçës përgatiti qindra këngëtarë dhe instrumentistë të apasionuar dhe në kohën e lirë merrej me organizimin dhe drejtimin e lëvizjes amatore. Ai ngriti dhe drejtoi koret e para, organizoi bandat frymore dhe orkestrinat, përgatiti dhe shfaqi koncertet dhe shfaqjet e para më nxënësit por dhe me artistët që filluan të vijnë nga konservatorët europianë. Edhe në fushën e krijimtarisë e filloi nga harmonizimet e thjeshta të këngëve qytetare korçare, nga këngët e thjeshta korale, nga rapsoditë korale dhe orkestrore, nga ato vepra, që aq shumë i duheshin grupeve dhe asambleve amatore. Krijimtaria e Konos, shpërtheu fuqishëm sidomos pas çlirimit të vendit, kur praktikisht lindi dhe u zhvillua arti ynë muzikor, kur u krijuan institucionet muzikore profesioniste si Filarmonia, Teatri i Operas dhe Baletit, shtëpitë dhe pallatet e kulturës. Gjatë viteve 1945-1965 u shkruajtën dhe u luajtën pjesa më e madhe e veprave korale, orkestrore dhe skenike që e bënë figuran e tij popullore e të njohur në tërë vendin. Në shumë lloje e gjini muzikore, ai mbetet nismëtar i vërtetë. Vepra e parë sinfonike që u ekzekutua në vendin tonë doli nga pena e tij, ashtu sikurse edhe opereta e pare, që u luajt në skenat tona. Ai ishte ndër të parët që kultivoi kantatën, poemën vokale-instrumentale, rapsodinë për kor dhe atë për orkestër, fantazinë dhe vallen orkestrore.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare

Exit mobile version