19 Maj 1911, u lind Shyqo Basha, Doktori i Shkencave Mjekësore

Doktori i Shkencave Mjekësore, pionieri i luftës për çrrënjosen e sëmundjeve veneriane, pedagogu dhe studiuesi i shquar Shyqo Basha, u lind më 19 Maj 1911. Pas diplomimit në Universitetin e Romës, shërbeu në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Në vitet 1940-1942, u specializua në Bolonjë, për venerologji dhe që nga ajo kohë ju përkushtua Luftës për çrrënjosjen e sifilisit në vendin tonë. Pas çlirimit u burgos, por me t’u liruar, e vazhdoi luftën e tij kundër sëmundjes shoqërore. 3 vjet punon në Berat dhe më 1950, u emërua në Tiranë. Por atë e gjejmë edhe në Skrapar, Lushnjë, Elbasan, Vlorë, Mat, Mirditë e gjetkë. Më 1975, fitoi titullin “Kandidat i Shkencave Mjekësore”, me studimin mbi sifilizin në qarkun e Beratit. Që nga ngritja e Institutit Mjekësor, që përgatiti mjekët e parë në vend, Shyqyri Basha, ushtroi një veprimtari të dendur pedagogjike, mbajti leksione, udhëhoqi grupe studentësh, drejtoi kurset e specializimit dhe ka qënë bashkautor i teksteve arsimore. Më 1988, përfundoi monografinë shkencore “Sifilizi në Shqipëri, përhapja, lulëzimi dhe zhdukja”, që ka mbetur në dorëshkrim.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare