Ali Cungu, pedagog dhe shqipërues i shquar, u lind në Elbasan, më 2 Gusht 1898. Mbaroi shkëlqyeshëm Robert Kolegjin e Stambollit. Pas diplomimit, filloi karrjerën pedagogjike si mësues në vendlindje. Më 1921, u transferua në Shkollën Teknike të Tiranës, ku dha gjuhën shqipe dhe anglisht, matematikë, gjimnastikë, madje edhe muzikë. Ndihmonte për zhvillimin e sportit, letërsisë dhe artit, gjykonte ndeshjet e futbollit, ishte regjizor i trupës teatrore të Shkollës Teknike, bashkëpunëtor i afërt i revistes studentore “Laboremus”, ku botonte artikuj dhe poezi në gjuhën shqipe dhe anglisht, një ndër themelonjësit dhe kryetar i shoqatës kulturore-sportive “Pellazgu”. Shpesh, e pat prezantuar shkollën shqiptare edhe jashtë vendit. Referati i tij në Konferencën e organizuar në vitin 1931, nga Instituti i Studimeve në Gjenevë, pati jehonë të gjërë. Me ngritjen e Institutit Shqiptaro-Amerikan të Kavajës, ai u emërua nëndrejtor dhe më pas, drejtor i shkollës. Edhe në vitet e pushtimit fashist, Ali Cungu, vazhdoi punën e tij pedagogjike. Ai shërbeu si drejtor i konviktit në Tiranë dhe më pas, si drejtor i Shkollës së Punës në Elbasan. Pas çlirimit, përjetoi shtatë vjet privim lirie. Pas lirimit, punoi si shqipërues. Përktheu veprat e De Radës, Naim Frashërit, Migjenit, Ismail Kadaresë, madje edhe të Enver Hoxhës. Ai ishte përkthyesi i variantit anglisht të revistës “Shqipëria e re”. Sigurisht që në asnjë nga veprat e përkthyera nga ai, nuk figuron emri i shqipëruesit.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare