Marko Boçari ishte një kapiten suliot i luftës guerrile dhe Hero i Revolucionit Grek që kishte pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve jugore, që janë të njohur edhe si “arvanitë“. Marko Boçari është një ndër figurat kombëtare më të nderuara për grekët, dhe portretet e tij mbushin shpesh klasat, zyrat e administratës e të qeverisë dhe baraka ushtarake; pa llogaritur fare se ai vinte nga fiset me gjak të pastër shqiptar të Sulit.
Marko Boçari lindi në një nga fiset udhëheqëse të Sulit më 1790, në Epir dhe vdiq në Larpenis. I ati ishte Kiço Boçari, dhe e ëma Krisulla, e bija e Joyi Papa-Zotit. Nip i Notis Boçari. Më 1795 familja e Markos braktisi fshatin Sul dhe u shpërngul në fshatin Palohori të Sulit, i cili, për këtë arsye mban emrin Palohori i Boçarit, 4,5 orë me këmbë larg Sulit. Shkak i kësaj shpërnguljeje ishte hidhërimi që solli shkarkimi i Jorgo Boçarit, gjysh i Markos dhe udhëheqës i fisit të Boçarëve, nga detyra e komandantit të suljotëve, pas zgjedhjes së 19 vjeçarit Foto Xhavella në postin e komandantit. Gjatë viteve që pasuan, Jorgo Boçari u shpërngul me gjithë fisin e tij nga Suli në Vulgarel, që i u dha në dorëzim nga Ali Pashai i Janinës, dhe Markoja jetoi atje deri më 22 Dhjetor 1803, kur fisi i Boçarëve dhe suljotëve të tjerë që kishin gjetur strehë n’atë vend dhe arrinin gjithsej deri në 1148 vetë, nga frika se mos i sulmonte ushtria e Ali Pashës u vendosën në shkrepat e Selcës së Agrafëve.
Me 20 Prill 1804 i bënë ballë sulmit që prisnin dhe pas një rrethimi tremujor patën fund të dhimbshëm. Pjesa më e madhe e suljotëve u vranë e u zunë robër. U zu rob i plagosur dhe Noti Boçari, vëllai i t’atit të Markos, të cilin Aliu e mbylli në kështjellën e Këlcyrës dhe, më vonë, kur e la të lirë, shkoi e u strehua në Korfuz. Kësaj katastrofe i shpëtuan 52 vetë, e dy prej tyre ishin Markua, atëherë 14 vjeçar, me t’atin e tij, të cilët nepërmjet Pargës, u hodhën në Korfuz, bashkë me suljotë të tjerë që kishin gjetur strehë në Pargë pas shkatërrimit të Sulit. Jeta e Suljotëve në Korfuz ishte e mjerë, por më mirë le të lexojmë çfarë thuhet në kujtimet e shkruara të luftëtarit suljot S.Cipi:
- Suljotët këtu në Qerqira ishin katandisur në kulm të varfërisë dhe shumë herë as bukë nuk kishin të hanin. Kapedanët tanë më të mirë bënin fshesa dhe i shisnin, sa për të ngrënë bukën e zezë! Fatkeqsitë, uria, kishin dëtyruar shumë prej tyre të bëheshin hajdutë, që të jetonin” (fq.113)
Në Korfuz, Markua u martua me Krisulla Kallogjerin, me të cilen pati edhe 4 fëmijë. Në Korfuz shkruan atë që ai quan “Fjalor i greqishtes dhe i arvanites së thjeshtë“, me ndihmesën e t’atit, xhaxhait, e të vjehrrit. Në majin e 1819-ës dorëshkrimi i Fjalorit të Markos u dorëzua në biblioteken Kombëtare në Paris nga Pouqueville-i, ku në fletën e parë është shkruar në frëngjisht me shkrim dore:
- «Ce lexique est ecrit de la main de Marc Botzari á Corfou devant moi. Pouqueville.»
- «Ky fjalor është shkruar nga dora e Marko Boçarit në Korfuz përpara meje. Pouqueville.»
Është e mundshme që konsulli francez në Janinë në kohë t’Ali Pashës, të ketë marrë leksione shqipeje nga Markua. Markoja mësoi n’Universitetin e Korfuzit, të hapur nga grekofili lordi Guilford, shkollë e njohur nga grekët si “Akademia e Jonit”. Është e mundur që në 24 faqjet e para të fjalorit të Markos të ketë pasur ndonjë lavdërim për anglezët, faqe që janë zhdukur apo censuruar ndoshta nga Pouqueville-i që ishte përfaqsues e flamurtar i interesave franceze në rajon. Markoja i jepte mësime greqishteje ushtarëve të regjimentit që kishin formuar francezët në Korfuz me burra epirotë e maroitë (emigrantë nga Morea). Në 1813 jetonte në Janinë, jo si pend i Ali Pashës por si qytetar i lirë, me t’atin, për të cilin S.Cipi shkruan se “shkonte në Vulgarel, për të mbledhur taksat që i paguheshin n’ato vende”(fq.114), e u vra n’Nartë nga Gogo Bakola. Marko Boçari u vra duke luftuar më 9 gusht 1823 në Karpenesh.
You may also like
-
22 Dhjetor, shënohet sot Solstici i Dimrit
-
22 Dhjetor 1925, u krijua “Drejtoria e Emigrantëve” do kujdesej për shqiptarët e ardhur nga trojet jashtë kufirit
-
22 Dhjetor 1942, Bashkimi Sovjetik, njeh luftën antifashiste të popullit shqiptar
-
22 Dhjetor 1945, rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me Francën
-
22 Dhjetor 1993, konturet e ekonomisë së tregut; parlamenti miraton ligjin për taksat