At Gjeçovi, si e ruajti unazën e arit të gjetur në 1900

Duke kujtuar në 142-vjetorin e lindjes At Shtjefën Gjeçovin, kontributin e tij për etnokulturën; mblodhi Kanunin e maleve, shkroi drama historike për mesjetën shqiptare, por ka gjurmuar e shpëtuar edhe pasuritë arkeologjike. Një nga rastet unike, që e risjellim në këtë kujtesë është ruajtja e unazës së arit, gjetur në 1900, për të cilën ka dhënë një përshkrim e informacion të plotë më parë, arkeologu italian Luigji Ugolini

Para pak ditësh, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, studiuesi Dorian Koçi për të kujtuar në 142-vjetorin e lindjes fratin Shtjefën Gjeçovi solli një prej historive të tij më unike, që dëshmon ndërgjegjen se si trashëgimia mban historinë mbi shpinë. Si ky rast, hyri në një prej të dhënave më domethënëse për të patur vetëdijen e barbarizmit tonë duke shkatërruar e shitur kujtesën. Në këtë simbolikë, sidomos për ditët e sotme, ka vlejtur të kujtohet At Shtjefën Gjeçovi, ky misionar i dijes që mblodhi jo vetëm Kanunin e maleve apo shkroi drama historike për mesjetën shqiptare, por gjurmoi e ka arritur të shpëtojë edhe pasuritë arkeologjike. Për këtë rast, sillet rrëfimi i fratit, në vitin 1900 se si e shpëtoi një unazë ari “për t’ua kaluar brezave të tjerë të shqiptarëve”. Rrëfimi është shkëputur nga një shkrim i studiuesit Jaho Brahaj: “Ishe n’Laç – Sebaste të Kurbinit, si i parë famulliet, si gjejshe t’knaqun n’kërkim të vjetërsinave –përmi t’cillat tash flas, – m’u beh në qelë Dr. Paal Traeger prej Zehlendorf­it t’Berlinit. I vlerti anthropolog e arkeolog, i cili atbotë pat fillue dishka me belbue taljanisht, e unë si burr i madh(!) xuna me ju lëvdue për do sende t’vjetra t’cillat i pata gjet mun n’atë kohë m’nji vorr në vend t’qujtun “Kodër Bogëz” në katund të Laçit – Sebaste.

Dr. Traegeri mu lut me ja diftue visarin tem, edhe unë me njerzie ja qita përpara. E pvetshe herë për nji send herë për nji tjetër, e ky rrap­çap me me atë gjuhë taljane, u mundote me mi kallxue do punë përmbi ato vjetërsiena.

Ndër kto sende kishe edhe nji unazë­arit t’cillën e pata gjetë n’vorr të vendit të përmendun, dhe e pveta Dr. Traeger­in, qi t’më diftote kohën e vjetërsienës s’sajë, e ky mu përgjegj: “Kohën e vlerën s’mund ta kallxoj, se na arkeologët jena të betuem me mos kallxue as kohën as çmimin e vjetërsievet, por po deshte me e shitë, unë po të nap mje m’7 (shtatë) napolana për atë unazë”!!

Të falem nderës i thaçë Dr. Traeger­it, me më dhanë 400 napolana s’e shes, por veç deshta me ditë kohën e çmimin e vjetërsies…”. Por unaza u shit. Koçi plotëson informacionin se arkeologu italian L. Ugolini në vitin 1927 e vlerësoi këtë unazë duke e përshkruar e përfshirë në vëllimin “Shqipëria Arkeologjike” nga ku i kemi të ruajtura përshkrimin dhe foton e saj. Pas vdekjes së Gjeçovit unaza e “famshme” ruhej në Muzeumin Françeskan në Shkodër deri në vitin 1945, pastaj erdhi në Tiranë. At Shtjefën Gjeçovi lindi në Janjevë të Kosovës më 12 korrik, të vitit 1874. Pasi kreu kolegjin françeskan në Troshan, në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci. Pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift dhe shërbeu në Pejë, Gomsiqe, Theth, Rubik etj. Atë Shtjefën Gjeçovi përfaqësonte intelektualin erudit, i cili grumbulloi qindra gojëdhëna, përgatiti monografi shkencore, shkroi artikuj, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore etj. Atë Shtjefni ka botuar këta libra: “Jeta e shë Luçis, pajtores s’arkidieçezit të Durrsit” (1904), “Mark Kuli Kryeqitas” (1905), “Agimi i qytetnis”,(1910), “Shna Ndou i Padues” (1912), “Atil Reguli” (përkthim i lirë i dramit me tri pamje të Pjetër Metastasit) (1912), “Vajza e Orleans-it ase Joana d’Ark”, (1915), “Atil Reguli” (1912), “Moisi Golemi” dhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” (1933). Atë Shtjefën Gjeçovi u bë i famshëm me librin “Kanuni i Lekë Dukagjinit”. Rregullat e kanunet ai i mblodhi nga goja e popullit dhe fillimisht i botoi në revistën “Hyll të Dritës”. Atë Gjeçovin e vranë shovinistët serbë më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famullitar.

Marre nga mapo.al

Leave a Reply