Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Best Female Singer: Ermonela Jaho, finaliste mes yjeve botërore

Ermonela Jaho, finaliste në Bachtrack Opera Awards në kategorinë ‘Best Female Singer’. Emri i sopranos shqiptare renditet në garë si ‘Best Female Singer’, bashkë me yje si Anna Netrebko apo Anita Rachvelishvili

Çmimet më prestigjioze të zërave operistikë në Operën botërore Bachtrack Opera Awards kanë përzgjedhur ndër 6 emrat finalistë edhe sopranon shqiptare Ermonela Jaho. Pasi janë selektuar rreth 600 produksionet ndërkombëtare më të mira gjatë sezonit artistik 2016-2017, emri i Ermonela Jahos renditet në garë si Best Female Singer, me yje si Anna Netrebko apo Anita Rachvelishvili. Kategoria Best Female Singer rendit Anita Rachvelishvili me produksionin e (Samson et Dalila, Opera de Paris), Anna Netrebko (Il trovatore, Vienna State Opera), Ermonela Jaho nominohet për rolin e saj në operën (Madame Butterfly, Royal Opera, London), Gawlle Arquez (Xerxes, Oper Frankfurt), Joyce DiDonato (Semiramide, Bayrishe Statsoper, Munich) si dhe Karita Mattila ne produksionin (Jenufa, Metropolitan Opera, New York).

Në kritikën e botuar në faqen zyrtare të Bachtrack Opera Awards mbi performancën e Ermonela Jahos si Madame Butterfly theksohet: “Jaho jo thjesht këndon Butterfly, ajo shndërrohet në Butterfly. Nga çasti që ajo shfaqet në kopshtin e qershive ne besojmë te karakteri i saj. Me rrëshqitje dhe hap të lehtë, gjeste të hijshme dhe sy përpëlitës, ajo arrin të bëhet nusja 15-vjeçare. Jaho e merr personazhin pak nga pak duke e ndriçuar dhe duke e ngjitur në majën e brishtësisë”. Nëse dëshironi të votoni për shqiptaren e talentuar dhe plot personalitet mund të votoni në faqen zyrtare të konkursit Bachtrack.com. Bachtrack Opera Awards.

Ndërsa një ditë më parë sopranoja ka ftuar publikun në performancën e saj live në Royal Teatro, në Madrid përmes publikimit të një videoje. Ermonela, e cila interpretoi rolin e Cio-Cio-San në shfaqjen ‘Madame Butterfly’ nëpër vende të ndryshme të botës, tashmë një interpretim të radhës do ta ketë më datë 30 qershor në Spanjë. Për këtë, në njoftimin e saj në rrjetin social, sopranoja ka treguar se kjo shfaqje e 30 qershorit do të transmetohet direkt edhe në 200 qytete në gjithë Spanjën, që vjen në kuadër të edicionit të tretë të Javës së Operës në Royal Teatro në Madrid të Spanjës. Vjet, në maj të 2016, sopranoja ka fituar Çmimin Ndërkombëtar të Operës nga votat e publikut botëror. Ky çmim, që mund të quhet si “Oscar” i Operës Botërore, në Teatrin Savoy të Londrës.

Në kategorinë e çmimit të dhënë nga publiku botëror, sopranoja shqiptare patu konkurruar me disa nga zërat më të bukur dhe më të njohur të operës botërore kontemporane, si Joyce Didonato, Juan Diego Florez, Dimitri Hvorostovsky apo Eva Maria Westbroek etj.

Ky çmim në fakt shënonte vlerësimin për një artistik shqiptar në nivele të tilla kaq të larta.

Marre nga mapo.al

Exit mobile version