Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Botohet vepra: Mit’hat Frashëri, nga arkivat te lexuesi…i panjohur!

Instituti i Studimeve “Lumo Skëndo” ka përuruar vëllimin e parë të një serie me mbi 12 botime nga gjithë vepra e përmbledhur e studiuesit Mid’hat Frashëri. “Shqiptarët do t’i fitojnë të gjitha betejat pasi të mbarojnë betejën e fundit mes tyre”. Kjo është thënia simbol e Mit’hat Frashërit, alias Lumo Skëndo, e thënë në vitet ’30 kur shkëlqeu një plejadë dhe traditë letrare por dhe elitare në Shqipëri. Perspektiva e mendimit të Mit’hat Frashërit mban edhe leximin e sotëm, por që pritet të bëhet me një dimension receptimi më të gjerë nga botimi që do t’i bëhet veprës së tij nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo”.

“Një vepër kryesisht kulturore që përfshin në vëllimin e parë publicistikën. Në vëllimin e dytë studimet dhe esetë historike, kulturore dhe politike. Në vëllimin e tretë janë krijimtaria e tij”, thotë shkrimtari dhe historiani, Uran Butka në takimin promovues në fundjavën e shkuar, duke shtuar se gjithë brezat kanë nevojë të mësojmë prej Mit’hat Frashërit dhe veprës së tij. Në këtë vëllim ka dokumente të publikuara për herë të parë. Ky është hapi i parë serioz, tha Butka, ku do vërtetohet një figurë me përmasa jo vetëm kombëtare por edhe europiane.

“Është një vepër kryesisht kulturore. Në veprën e parë përfshihet publicistika e tij, në të dytin studimet historike, kulturore, politike sociale etj., në vëllimin e tretë janë krijimtaria dhe kujtimet  e tij, që janë një pasuri shumë e madhe për historinë e kombit, mandej letërkëmbimi që është ndër më të jashtëzakonshmit në historinë e literaturës shqipe, përshkrimet e udhëtimeve në të gjithë botën, ditarët etj.”, -tha Butka.

“Janë dokumente të cilat ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe në arkivat e tjera të Londrës, të Gjenevës, të Romës e të Stambollit. Në libër lexuesit do të gjejnë për herë të parë procesverbalin e Kongresit të Manastirit”, deklaron Butka. Ndërsa historian Beqir Meta tha: “Unë mendoj që kjo vepër do të na sjellë Mit’hat Frashërin si udhëheqësin, themeluesin e njërës prej rrymave kryesore, nacionalizmit demokratik shqiptar”. Për drejtorin e ISKK, Agron Tufa “Faik bej Konica e shpallte Lumo Skëndon si më eruditin dhe më të kulturuarin mes eruditëve të rinj”, i përcaktuar si një parashikues gjenial, por edhe model i kulturës shqipe, aq sa edhe një politikan që nuk ka patur kurrë dyshim në identitetin e tij dhe dëshirën për investim perëndimor në Shqipëri. Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi tha: “Problemet që ngre Mid’hat Frashëri dhe Shqipëria që ai përshkruante në atë kohë kanë ndryshuar shumë pak. Nëpërmjet kësaj vepre edhe të rinjtë do të njohin anëtarin e një prej familjeve të fundit fisnike që i ka ngelur Shqipërisë”.

Marre nga mapo.al

Exit mobile version