Të hedhur buzë Lanës, nëpër bordura, trotuare… librat e vjetër gjejnë strehë në këtë formë artistike nëpër romane. Janë tërheqëse jo vetëm për të eksploruar nëpër biblioteka të braktisura, me firma personalitetesh e të mbushura me mistere, por edhe për ekzotikën e tyre të rrallë: vepra, autori, kopertina, vjetërsia e fletëve që frymëzojnë histori tragjike…por sërish me rezistencën e lexuesve fanatikë të kryeqytetit
Një pasdite maji të vitit që shkoi, rastisi të kaloja ndanë Parkut Rinia, përballë godinës së ish Ministrisë së Mbrojtjes. Një stuhi e shkurtër me rrebeshe shirash të dendur e kishte pastruar ajrin; asfaltet dhe trotuaret e lara pasqyronin, si të bojatisura nën përshkënditjen e diellit, ca reflekse rozë në manushaqe, sa të bëhej se po shkelje mbi bojëra ende të pathara.
Ndërsa çapitesha prajshëm trotuarit, ngjitur me bordurat e Parkut, më tërhoqën vëmendjen thirrjet e herëhershme e monotone të dy djelmoshave romë, të cilët, sapo afrohej ndonjë kalimtar, përsërisnin me radhë të njëjtën thirrje:
-Hajde lal, mall i mirë, mall i lirë…! Mall i mirë, mall i lirë…Ndalova hapat dhe pashë se, mbi sipërfaqen e bordurës, në një gjatësi kund 5 a 6 metra, mbi një shtresë të tejdukshme plastmasi, qenë radhitur libra të vjetër gjithfarësh. Edhe pa thirrjen e dy adoleshentëve romë, nisur nga shprehia ime e vjetër, do të kisha ndaluar, me siguri, të buburroja ndër ata tituj, edhe pse ka kohë që gjithnjë e më fort zhgënjehehm nga librat e rastësishëm në rrugë.
Djaloshi nxitoi të më ndihmonte, duke më afruar herë pas here libra të trashë, që i mbante brenda ca kutive prej kartoni.
-Mos i nxirr një nga një, – i thashë, – nxirri të gjithë, shtriji në brodurë, se i shoh vetë.
-Pa shitur këto këtu, – arsyetoi ai që duhej të ishte më i madh, – nuk e nxjerrim mallin tjetër, se na prishet.
Tunda kokën dhe isha në të larguar, pasi kisha ndarë një Flober të veçantë (“Zonja Bovari” me përkthimin në gegnisht të Zekrija Rexhës) dhe, për nostalgji të fëmijërisë, “Legjenda dhe aventura e Ulenshpigelit dhe të Lame Gudzakut” të Sharl De Koster. Ndërsa po paguaja, pa u hëngër në Pazar, djaloshi rom bëri një propozim të papritur:
-Po deshe ti, xhaxh, i hap tre kutitë, ene shih…masanej i fus prapë në kuti unë. Si thua, t’i hap?
-Hapi…Po shpejt ama! – i thashë.
Të dy djemtë i radhitën librat në bordurë, duke u përpjekur të më vinin në dukje disa vëllime të një enciklopedie ruse. Por unë vazhdova të bredh me sy kopertinat, përgjithësisht tituj të njohur dygjuhësh, derisa u ndala para një libri me kopertinë të butë, të zezë, pa titull, duke menduar se titullin mund ta gjeja në faqet e brendshme. Vetëm pas shfletimit të dy faqeve bosh, ndesha në një shkrim të imët dore, të qartë e të kujdesshëm, disi të pjerrët.
Mendova se mund të qe ditar dhe shfletova disa fletë të tjera. Nuk ndesha ndonjë datë. Ndonjë përkthim ndoshta…? Gjykuar nga dy a tre emra shqiptarë, ra dhe kjo gjasë. Nuk po e kuptoja natyrën e atij shkrimi me dorë, andaj, që të mos tërhiqja vëmendjen e djelmoshave, e mbylla atë bllok të trashë shënimesh në trajtë libri dhe i pyeta:
-Sa ma jepni këtë?
-Një pësëmijëshe të vjetër merre,- foli shpërfillshëm flokëqethuri, që duhej të qe shefi i asaj dysheje adoleshentësh.
Ia zgjata këtij pesëmijëshen dhe e pyeta se nga i kishin marrë këta libra…dhe shtova:
-Unë i njoh prej shumë vitesh të gjithë bukinistët dhe shitësit e librave të Tiranës, por ju nuk ju kam ndeshur asnjëherë,- ndërkohë që po i bëja vend me vështirësi bllokut të zi në çantën time të krahut.
-E, mër xhaxh…ashtu thue…pore ne ata që njef ti, a e kanë pasë nji ditë të parë? Kshu pram o…ene na e kena nis isoj si ata, ditën e parë…e me kismet….-e la pa mbaruar ai fjalinë.
Ia bëra me dorë të avitej më afër dhe i thashë, më zë të ulët siç thuhen rëndom sekretet:
-Nuk të pyeta kot se ku i keni marrë librat! Po t’i shohësh, të gjithë librat kanë në faqen 3 dhe 17 vulën Biblioteka personale T&L.Mërtiri. Shihi…shihi! E kjo do të thotë se të gjithë këto libra që po shisni ju, janë pjesë e një biblioteke familjare. Kush jua ka dhënë? – e pyeta ngulmueshëm, duke peshuar me këmbë mbi bordurë.
Djaloshi uli sytë dhe duke mërmëritur, teksa mblidhte librat të nxjerrë nga kutitë, tha:
-Vallahi ne na i ka dhënë njoni t’i shesim dhe fitimin duhet ta ndajmë me fifti-fifti…ma shumë nuk di unë.
Kur po largohesha, dëgjova të më thotë në mënyrë lutëse:
-Paj zotin, xhaxho, mos na denonco? E kena bukë goje na…Cça me bo?!…
***
Të hedhur buzë Lanës, nëpër bordura, trotuare… librat e vjetër gjejnë strehë në këtë formë artistike nëpër romane. Janë tërheqëse jo vetëm për të eksploruar nëpër biblioteka të braktisura, me firma personalitetesh e të mbushura me mistere, por edhe për ekzotikën e tyre të rrallë: vepra, autori, kopertina, vjetërsia e fletëve, por dhe që frymëzojnë histori tragjike… Një rast është fragmenti i mësipërm, pjesë nga prologu i romanit të Agron Tufës, ka nxitur shkrimin e “Gurit të varrit ia rrëfej”, ku asgjë nuk ndryshon nga realiteti i bukinistëve në bordurat e Tiranës për të shkuar tek historitë tragjike.
Cvajk, Dostojevksi, Balzak, Flober, Enver Hoxha, Naim Frashëri, Kadare, Petro Marko, Gogol, Stendal…pothuaj një literaturë e plotë ruse, enciklopedi, libër bujqësinë, blegtorinë, mjekësinë, për gjuhën letërsinë shqipe përgjatë diktaturës “bashkëjetojnë” për hir të një lexuesi fanatik për librat e vjetër, edhe pse nuk mund të rrinë bashkë, në diell e të shtrirë në baltë.
Tjetër rast: Një nga novelat e Cvajkut, titulli i së cilës në shqip është përkthyer “Bukinisti Mendel”, tregon historinë e shitësit të librave antikë që kalonte ditët në ‘Café Gluck’ në Vjenë, në vitet para Luftës së Parë Botërore, fillimin e së cilës ai, i zhytur gjithmonë në lexime, as e mori vesh. Nuk do vazhdojmë me historinë tragjike të Jakob Mendel, sepse në parkun Rinia, në rrugë, tortuare e buzë Lanës gjen bukinistët e kryeqytetit. Nikolla është njëri prej tyre, që ka vendosur librat në bordurën përballë ish hotel Dajtit. Në çdo orë të ditës aty gjen të rinj së shumti, por çdo moshë, që tërhiqen më shumë pas librave të vjetër. Kërkimi mbi to është një lloj kurioziteti, një forcë tërheqëse që lidh fatin e sotëm të librit me të shkuarën. Dallojnë bukinistët nga kjo. Ata që shesin në rrugë furnizohen nga magazinat që mbajnë bibliotekat e zbrasura, qoftë personale por dhe ato publike. Ndërsa bukinistët që kanë një strehë të “fshehtë” dhe jo shumë të ekspozuar, shesin libra që janë marrë nëpër rrugët e qyteteve nga perëndimi, ku pas emrit të autorit, cilësia e kopertinës dhe letrës është e para gjë që nxit për blerje. Nikolla, por dhe të tjerë na tregojnë se kohët e fundit është shtuar interesi për librat e rrallë, e sidomos në gjuhë të huaj. “Po na kërkojnë sidomos libra të autorëve që nuk i kanë në bibliotekën, dhe që nuk arrijnë t’i gjejnë në librari”. Librat e vjetër? Në fakt e gjithë diktatura prej 45 e deri në ’90-ën është aty, dhe nuk po ndodh që të ndeshen librat e rrallë, para këtyre viteve.
Në panairin e 15 të librit që organizohet në Tiranë, ishte pagëzuar një stendë me emrin “Shtëpia e Bukinistit”, por që ishte e palindur, një ide e botuesit Mehmet Gëzhilli, për të pasur një shtëpi, një librari, një vend ku blihen e shiten libra të përdorur, të vjetër të çdo fushe, çdo gjuhe, e periudhe, apo libra të harruar…
Por së fundi, është ndeshur sërish një ripërpjekje, rigjallërim për librat e vjetër. Tendenca që vjen nga rrjetet sociale, siç ishte rasti i organizimit para pak kohësh, në fillim të këtij vitit, të panairit të librave të përdorur, krahas atyre të rinj. Botuesit e “Pika pa Sipërfaqe”, ndonëse kanë një historik sporadik në trajtimin e librave të përdorur, e të vjetër, shpesh herë dëgjojmë prej tyre për organizime përmes rrjetit social me emrin “Logu i Shkëndijës” duke ftuar lexuesit jo vetëm të marrin libra, por edhe të dhurojnë.
Por këto mbeten vende të izoluara, pavarësisht vullnetit për t’iu “rebeluar” një realiteti të zymtë se si tregtohen librat në kryeqytet, së paku këta të vjetrit, që frymëzojnë edhe letërsi.
Bibliotekat në rrugë e të grabitura dikur
Disa vite më parë, e gjithë biblioteka e Injaz Zamputit kishte përfunduar në rrugë. Në urën e Lanës firma e Zamputit ishte mbi librat historikë të shkruar prej tij, por dhe librave të rrallë që ai kishte në bibliotekë. Ky ishte ndër fatet që ka ndjekur bibliotekat e mjaft personaliteteve në histori, ku shumë prej tyre ndajnë ngjarjet më fatale atë të grabitjes nga komunistët. Në nr.2 të “Almanak”, një botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, ndër të tjera është përfshirë edhe një kërkim i Çelo Hoxhës mbi
sekuestrimin e bibliotekave të këtyre tre firmëtarëve të Pavarësisë. Si u ngritën komisionet, kush e firmosi urdhrin dhe kujt iu dorëzuan çelësat e bibliotekave të Krujës, Frashërit e Nosit. Hoxha sjell
dokumente të Arkivit Qendror të Shtetit (Ministria e Propagandës, D. 126).
“Një nga krimet e regjimit komunist është grabitja e bibliotekave të personave privatë, mes të cilëve bënin pjesë bibliotekat e disa prej njerëzve më të shquar të historisë së Shqipërisë.
Deri tani kemi zbuluar vetëm një pjesë të procesit të grabitjes së bibliotekës së tre firmëtarëve të Pavarësisë: Mid’hat Frashëri, Mustafa Kruja dhe Lef Nosi. Ministria e Propagandës i njoftoi Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Drejtësisë, më 21 shkurt 1945, se po krijohej një komision për sekuestrimin e librave të tre firmëtarëve të Pavarësisë, prandaj kjo ministri duhej të dërgonte një përfaqësues në atë komision…”
Në dokument thuhet: “Drejtoria e Bibliotekës Kombëtare do të tërheqë librat e bibliotekës
së sekuestruar të Lumo Skëndos, Mustafa Krujës dhe ca libra të Lef Nosit të depozituara në Bankën e Shtetit. Për këtë lutemi që nga ky dikaster të caktohet një i deleguar me cilësi si anëtar i komisionit, i cili formohet pranë M. së Shtypit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, për tërheqjen e librave të tradhtarëve në fjalë”. Si ky rast janë edhe të tjera, që edhe pas rënies së komunizmit, bibliotekat vazhduan të jenë “peng” i sistemit, pa u vlerësuar ky kontribut edhe nga Biblioteka Kombëtare, duke refuzuar ose “grabitur”, pa nderuar këto figura.
Platformat online
Titulli: “Programe për shkolla fillore pesë klasësh”; Gjinia: Udhëzues; Shtëpia botuese: Shtypshkronja Teknike; Viti: 1928 -Lidhja e librit është e qëndrueshme. Në anë të kopertinës është pak i grisur për shkak të kohës. Në faqen e parë është shkruar emri i një personi. Faqet e librit janë të zverdhura në disa vende.
Titulli: Letër e dytë arsimtarëve të Shqipnis; Gjinia: Udhëzues ; Shtëpia botuese: Nikaj, Botim i Ministris së Arsimit; Viti: 1924. Mbi librin: Lidhja e faqeve është e mirë dhe e qëndrueshme. Faqet kanë disa njolla të verdha për shkak të kohës. Faqja e parë është pak e ngrënë dhe e njollosur.
Këto janë vetëm dy shembuj që morën për librat më të hershëm që gjejnë në platformën online “Shtëpia e librit”, ku libri i vjetër është i përfshirë si një ndër seksionet e saj për lexuesit e interesuar. Disponimi i të dhënave, dhe informacioni që marrim mban lidhjet historike, vitin dhe përshtypjen e një gjendje pothuaj ekzaltuese mbi librat e rrallë. Prej shumë vitesh “Shtëpia e librit” është mjaft aktive në këtë drejtim, por dhe në paraqitjen e librave të rinj. Një tjetër platformë online, pavarësisht emrit, bukinist.al ka hyrë së fundi në treg me shitjen e librave, kryesisht ata të rinj. Drejtuesi i saj, Albert Gjoka, thotë se ka mjaft interesim nga lexuesit për të porositur botimet online, por nga ana tjetër hedh për shqyrtim edhe faktin se ka ardhur koha për t’u studiuar këto platforma online të shitjes së librit në Shqipëri.
Ky kontribut lidhet dhe me një sondazh që bukinist.al ka kryer për lexueshmërinë duke shpërndarë një pyetësor. Kjo është nga të paktat raste që interesi për lexuesin i afrohet një vështrimi sociologjik se çfarë lexojnë shqiptarët, ndërsa mungon totalisht në kushtet e shitjes së lirë të librit, sidomos për tregun e rrugës dhe atë nëpër panaire.
V.Murati
Marre nga mapo.al