Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Ekspozitë me rastin e “120 vjetorit të mësonjëtores shqipe”, Korçë më 7 mars 2007

Me rastin e 120-vjetorit të hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë më 7 Mars 1887, Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë (QMKSH) në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Muzeun e Arsimit Kombëtar në Korçë për të përkujtuar këtë datë të rëndësishme, ka organizuar hapjen e ekspozitës me titull “120-vjetori i Mësonjëtores së Parë Shqipe”.

Hapja e Mësonjëtores Shqipe 120 vjet më parë në qytetin e Korçës, përbën kurorëzimin e përpjekjeve dhjetëvjeçare të atdhetarëve rilindës dhe të dëshirës së madhe të popullit shqiptar për kulturë dhe arsim, cilësisht më e lartë në historinë e shkollës dhe arësimit kombëtar.

Qëllimi:

Koleksionistët shqiptarë, me eksponatet që do të paraqesin në këtë ekspozitë, dëshirojnë të sjellin në ditët e sotme, atmosferën e kohës në të cilën u hap Mësonjëtorja e Parë Shqipe.

Rëndësia:

Hapja e Mësonjëtores së Parë Shqipe në Korçë shënnon një hap cilësor në drejtim të arsimit në gjuhën shqipe.

Hapja e saj ishte kurorëzimi i përpjekjeve të përbashkëta të patriotëve shqiptarë dhe të shoqërive e klubeve patriotike brenda dhe jashtë vendit.

Në literaturën dhe shtypin e sotëm, është evidentuar hapja e shkollave shqipe në periudha shumë më të hershme se Mësonjëtorja e Korçës, pra është e vërtetë që kronologjikisht ajo nuk është shkolla e parë shqipe. Populli ynë do të vazhdojë ta nderojë dhe ta ketë si simbol të përpjekjeve të patriotëve dhe rilindësve të tij për arsye se:

  1. Ajo kishte një fizionomi të plotë kombëtare, duke patur si qëllim realizimin e aspiratave dhe idealeve për liri e pavarësi.

2.Ajo ishte një shkollë e shkëputur nga mësimet fetare në Turqisht apo Greqisht, që zhvilloheshin në atë periudhë në shkollat turke dhe greke.

3.Mësimi për të gjitha lëndët zhvillohej në gjuhën shqipe.

4.Mësuesit e Mësonjëtores si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, etj. ishin ndër patriotët më aktivë e të flaktë në përpjekjet për kulturë e arsim.

5.Rilindasit tanë më të shquar si Naim Frashëri, Sami Frashëri, etj, kishin botuar për këtë Mësonjëtore librat mësimorë si “Abetare e gjuhës shqip”, “Shkronjëtore e gjuhës shqip”, “E këndimit çunavet-Këndonjëtoreja”.

6.Mësimet ndiqeshin nga nxënës të besimeve të ndryshme dhe të shtresave të ndryshme shoqërore.

7.Nxënësve të varfër u faleshin librat dhe fletoret.

Vlerësimin më të lartë hapjes së kësaj shkolle ja bëri Naim Frashëri, i cili i entuziazmuar nga kjo ngjarje i kushtoi asaj poezinë “Mësonjëtores”.

Ndër të tjera ai i drejtohet shqiptarëve:

“O vëllezër shqipëtarë,

gëzohi që erdh’ kjo ditë…”

Exit mobile version