140 vjetori i lindjes së Gjergj Fishtës
Një ekspozitë me të paktën 250 eksponate u hap në Muzeun Historik Kombëtar në kujtim të 140-vjetorit të lindjes së At Gjergj Fishtës. Ka qënë një bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës, Provincës Françeskane të Shkodrës dhe Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, të cilët kanë vënë në dispozicion pjesën më të madhe të materialeve arkivore. Ndërkohë, përveç dokumenteve, dorëshkrimeve dhe fotografive, janë ekspozuar për herë të parë edhe relike të poetit. Bastuni i Fishtës, dy botime të “Lahutës së Malcisë” dedikuar At Çiprian Nikës dhe At Zef Pllumit (atij që e njeh përmëndësh “Lahutën” ), tavolina, një qilim dhe llambadari i qelës. Po të Fishtës mendohen të jenë një makinë shkrimi dhe dy mbajtëse frutash, por për të cilat ende ka dyshime. “ Është një ekspozitë që nxjerr në pah jetën dhe veprimtarinë e Fishtës, dimesionin e tij shumëplanësh. Gjejmë këtu veprimtarinë e tij publicistike, botimet në poezi e prozë, letërkëmbimet, dokumentet që lidhen me veprimtarinë e Fishtës dhe vizitën e tij në Konferencën Ballkanike në Stamboll, në Bukuresht, vizitën e tij në Amerikë, në Konferencën e Paqes në Paris. Po ashtu ka një sërë fotografish, urdhrat dhe medaljet që ka marrë nga shtete të ndryshme, dëftesa të gjimnazit “Illyricum” ku ai nga 1902 ka qënë drejtor, botime të rralla të para Çlirimit, por edhe pas viteve ‘90”, -thotë koleksionisti Shpëtim Sala.
Në ceremoninë e hapjes ka qënë i pranishëm edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi (në vitin 2011), “Ministria e Kulturës do të rikonstruktojë shtëpinë e Fishtës, ndërsa Teatri Kombëtar duhet të vërë në skenë patjetër një dramë të tij. Ndërkaq, do të realizohet një album fotografik me foto të Marubit, e deri tani kemi zgjedhur pothuaj 67 fotografi”, tha Bumçi. Bumçi foli edhe për një prani më të madhe të poetit në shkolla.
Kjo ekspozitë, e cila qëndroi vetëm pak orë e hapur në Muzeun Kombëtar, për shkak të përplasjes së aktiviteteve është një rrugëtim përmes dokumentesh e fotografish në jetën e Fishtës. Aty gjen kartolina në emër të tij apo letërkëmbime më miq të njohur. Një sërë dorëshkrimesh mbajnë sipër edhe korrigjimet që Fishta ka bërë më vonë. Në një stendë më vete janë botimet, duke nisur që nga ai i pari i “Lahutës së Malcisë” më 1937, “Juda Makabe” më 1920, botimin e dytë të “Anzat e Parnasit”, botimin e parë të “Odisea, Ifigjenia n’Aulli”, i vitit 1931 etj. Nuk mungojë as numrat e hershëm të “Hyllit të Dritës”, ekspozuar më vete. Pjesë e ekspozitës janë edhe fotografitë e Fishtës në shtratin e vdekjes si dhe kortezhi mortor që shoqëronte poetin. Ndërkohë, fotografi të hershme dëshmojnë pamje nga brenda të Kishës Françeskane të shkatërruar. Materialet janë nxjerrë nga një sërë koleksionesh private, ku nuk ka munguar as nje filmim me zërin e Fishtës, të cilin e zotëronte koleksionisti korçar Niko Kotherja. Në fakt ato pak orë nuk do t ju kënë mjaftuar kureshtarëve që ndoshta do të kenë mësuar vetëm pas mbylljes për këtë ekspozitë.
Ekspozita ishte konceptuar në dy pjesë. Në pjesën e parë ishte pasqyruar jeta e Patër Gjergj Fishtës nëpërmjet fotove të shumta, librave, objekteve personale, letër këmbimit, medaljeve, titujve të dhëna nga shtete dhe organizata të ndryshme, etj. Duke evidentuar bashkëpunimin e Patër Gjergj Fishtës me klubet dhe Shoqëritë patriotike e kulturore, pjesmarrjen në Kongresin e Manastirit, në Konferencën e Paqes në Paris, në Konferenca Ballkanike dhe në Parlamentin e Parë Shqiptar, veprimtarinë e tij si drejtor i shkollës françeskane, etj. Në pjesën e dytë të ekspozitës eshtë pasqyruar veprimtaria e Patër Gjergj Fishtës në fushën e letrave, botimet origjinale. Veprën e Patër Gjergj Fishtës nuk mundi ta tresë sundimi gjysme shekullor sllavo-komunist, ajo do të mbetet ndër shekuj si shembull i pakufishëm atdhedashurie për Kombin Shqiptar.