Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Ekspozitë në Muzeun Historik Kombëtar me rastin e “100 Vjetorit të Pavarësisë”

Në kuadrin e festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë, QMKSH organizoi ekspozitën “100 Vjetori i Pavarësisë”. Kjo ekspozitë u hap në qytetet Tiranë, nga data 13-17 Nëntor, Prishtinë nga data 18-23 Nëntor dhe Vlorë nga data 24 deri më 28 Nëntor.

Ekspozita e hapur në qytetin e Tiranës nga data 13 deri më 17 Nëntor 2012 tërhoqi vëmendjen e veçantë të mediave dhe të vizitorëve. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë Kryetarja e Kuvendit  të Shqipërisë Znj. Jozefina Topalli, Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Z. Aldo Bumçi, intelektualë, përfaqësues të ambasadave me seli në Tiranë etj. Për pesë ditë që ekspozita ishte e hapur morën pjesë mbi 6.000 vizitorë. Aktiviteti u pasyrua në median e shkruar, atë elektronike dhe stacionet televizive.

Ekspozita e hapur në qytetin e Prishtinës tërhoqi gjithashtu një vëmendje të veçantë në media, Ekspozitën e vizituan 4000 qytetarë të Prishtinës. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë drejtori i kulturës pranë MKRS të Kosovës Z. Kamuran Goranzi, Z. Shyqiri Nimani, përfaqësues të ambasadës së Shqipërisë në Kosovë, studiues dhe intelektualë të njohur. Ekspozita u pasqyrua gjerësisht në mediat e Kosovës.

Ekspozita e hapur në qytetin e Vlorës tërhoqi vëmendjen e mediave qëndrore dhe lokale. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësuesi i MTKRS Z. Ermir Nika, Z/Kryetar i Bashkisë së Vlorës A.Beqiri, Z/Ministër i Kulturës së Kosovës dhe studiues të njohur. Kjo ekspozitë u cilësua nga ata si aktiviteti më i rëndësishëm i hapur në qytetin e Vlorës në kuadrin e festimeve të 100 Vjetorit të Pavarësisë.

Presidenti i QMKSH Z. Shpëtim Sala është shprehur:

Historia e lashtë e kombit shqiptar është shoqëruar nga simboli i shqiponjës, këtij shpendi të hapësirës, fuqisë e lirisë. Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti udhëhoqi, fitoi dhe triumfoi në dhjetëra beteja kundër invadorëve Osmanë, duke pasur në ballë të luftëtarëve shqiptarë flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrerëshe, që u kthye në simbolin e nderit, trimërisë dhe lirisë. Me mijëra e mijëra luftëtarë shqiptarë të rënë në luftërat shekullore për liri i nderuan dhe u mbuluan me flamurin kuq e zi.

Nën robërinë Osmane, flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare i mbijetoi sundimit pesë shekullor. Ai jetoi në kulturën e popullit shqiptar, i transmetuar  brez pas brez në tregimet, përrallat, legjendat e mitet, i skalitur në djepin e fëmijëve, në ballin e oxhakëve, në jelekët e burrave dhe të grave, në kuverta e qilima, në ballin e arkave ku nuset e reja mbanin pajën, në furka, armët e brezit e mbi të gjitha i skalitur për të mos u shuar në ndërgjegjen e kombit shqiptar.

Dua të nënvizoj që realizimi i kësaj ekspozite është shprehja e asaj ç’ka mund të realizojnë koleksionistët në një shoqëri demokratike.

Exit mobile version