Foto nga ekspozita
Në datën 23/11/2011, në qytetin e Pogradecit u çel ekspozita “Flamuri Kombëtar Shqiptar” organizuar nga Qëndra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve të Shqipërisë, në bashkëpunim me filatelistin Jovan Basho, mbështetur nga Bashkia Pogradec.
Kjo ekspozitë me afishimin për herë të parë të 25 flamujve kombëtarë, relikte të ralla që datojnë nga viti 1905 deri në vitin 1944, me pjesmarrës të koleksionistëve të njohur nga gjithë hapësirat mbarëshqiptare, ka qënë një ndër aktivitetet më interesante në kuadër të 99-vjetorit të Pavarësisë.
Në këtë aktivitet merrnin pjesë shumë intelektualë e qytetarë vendas nga Korça, Elbasani, Tirana, Prishtina, Shkupi dhe nga vënde të ndryshme të kontinentit edhe më gjerë, ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët. Kryetari i bashkisë, Artan Shkëmbi uroi të pranishëmit për festat e nëntorit, duke e cilësuar ekspozitën që përurohej, si ‘ndër më të veçantat dhe kuptimplotet në kuadër të të gjitha aktiviteteve që organizohen në këtë vënd për 99-vjetorin e Pavarësisë’.
Kështu, veç aktit të Shpalljes së Pavarësisë, vizitori pa për herë të parë 25 flamuj kombëtarë që datojnë nga viti 1905 deri në vitin 1944. Kartëpostale dhe fotografi të patriotëve, çetave, klubeve dhe shoqërive patriotike, dalë me imazhin e flamurit shqiptar. Koleksion kartëpostalesh me flamurin shqiptar e amerikan, flamurin shqiptar në shtypin e viteve 1913-1944, imazhin e flamurit shqiptar në etnokulturën shqiptare (vula buke, furka, pagure, fyej, çorape, qilima, kuti duhani, qëndisje etj), vula origjinale e administratës së Princ Vidit (1914), emblema, stema, dekorata me simbolin e flamurit (1912-1944) etj,.
Shpëtim Sala, kryetar i Q.M.K.SH-së, theksoi se ‘historia e lashtë e kombit shqiptar është e shoqëruar nga simboli i shqiponjës. Flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare i mbijetoi me shekuj sulmeve barbare të armiqve. Ai jetoi dhe jeton në kulturën e popullit shqiptar e në vetëdijen e tij, në tregimet. legjendat, e mitet. U skalit në ballin e djepit të fëmijëve, në oxhakun e shtëpisë, në jelekun e burrave, në kuverta e qilima, në sëndyqet ku nuset mbanin pajën, në armët e brezit, e furka. Mbi të gjitha, i skalitur kudo për t’u transmetuar brez pas brezi, si një amanet i shenjtë’.