Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Fakte historike që nuk i dinit për Nënë Terezën

Një ditë na ndan nga shenjtërimi i Nënë Terezës, e cila do të thirret më pas Shën Tereza, një titull ky i merituar për një shqiptare që gjithë jetën e saj e vuri në shërbim të të varfërve, jetimëve dhe të sëmurëve. Certifikimi i saj nga Ati i Shenjtë ndez kërshërinë e popujve ballkanas për ta përvetësuar Nënë Terezën.

E për të mësuar më tepër rreth saj, ne i drejtohemi Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, për t’u takuar me z. Shpëtim Sala, president nderi i saj, i cili na befason me thjeshtësinë e tij. Ai ka mbledhur dhe ruan me fanatizëm fakte autentike të dokumentuara, shuan pa bujë çdo pretendim të maqedonasve lidhur me prejardhjen shqiptare të Gonxhe Bojaxhiut. (Shkrimi i z. Shpëtim Sala, foto nr. 9)

“QMKSH ka për synim të ngjallë lidhjen natyrale të shqiptarëve me flamurin tonë kombëtar. Kush më shumë se ajo na bën të ndihemi krenarë, na lidh me flamurin tonë?!” – shprehet z. Shpëtim Sala, i cili zotëron fotografi e certifikata të sakta për të atin dhe motrën e shenjtores që janë shqiptarë, më saktësisht patriotë shqiptarë.

I ati i Nënë Terezës, Kol Bojaxhia, ishte anëtar i klubit “Shqip i Shkupit” dhe i orkestrës frymore “Zana e Malit” (fotot nr. 2, 3), e cila luajti rol të rëndësishëm në lartësimin e frymës atdhetare për shqiptarët e Shkupit. Fotografia e kësaj orkestre daton më 25 mars 1912 dhe është e vetmja që njohim deri më sot për orkestër frymore të Shkupit. E bërë në oborrin e Kishës Katolike, ndër të tjerë dallon edhe Kola.

Pas shpalljes në fuqi të Kushtetutës të 1876-s nga Sulltan Hamiti, patriotët shqiptarë, ndër ta Kol Bojaxhia, krijuan klubin me mbështetje të Kishës Katolike në Shkup “Zemra e Krishtit” ku ndër vitet 1909-1921 ishte arqipeshkv Lazër Mjeda (kushëri i Ndre Mjedës). Anëtarë të kësaj kishe, ishin edhe Kol Bojaxhia me të bijën Gonxhen (Nënë Tereza). Klubi shqiptar që mundësoi hapjen e kurseve për mësimin e gjuhës shqipe, krijimin e korit dhe orkestrës, u shtri edhe në qytete të tjera. (Rregullorja e klubit “Shqip i Shkupit”, foto nr. 4)

Kol Bojaxhia ishte një shqiptar i devotshëm, shtëpia e të cilit u shndërrua aso kohe në një vatër arsimi për të eturit për dije. Veç kësaj, ai ka qenë mik me veprimtarë të njohur të çështjes kombëtare, si Bajram Curri, Hasan Prishtina, Lazër Mjeda etj. Orkestra, ku ai ishte trompetist, e cila kishte 17 instrumentistë, ka luajtur pjesë nga muzika popullore dhe marshe atdhetare, ndër të tjera.

“E menduem qe asht shum e arsyeshme e vumë në veprim themelimin e Shoqënisë Muzikale”, “Na lypsen ndihmat e atdhetarve që gjinden edhe përjashta pse këtu qarku i atdhetarve asht fort i vogël”, shkruhet ndër të tjera në një letër të orkestrës (fotot nr. 5, 6). Një kontribut të madh në përhapjen e idesë dhe qëllimit të këtyre organizmave atdhetarë e kulturorë të Shkupit, ka dhënë edhe Gazeta “Shkupi”, organ informimi në gjuhën shqipe, numri i parë i të cilës daton më 20 shkurt 1911.

Një tjetër dëshmi interesante që Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë vë në dispozicion të lexuesve të portalit tonë janë edhe dy dokumente me në fokus motrën e Nënë Terezës, Age Bojaxhiun, e cila ishte punonjëse në Radio Tirana (1942). (Bashkangjitur një dokument mbi gjendjen e saj si nëpunëse, foto nr. 7). Shqiptarja Age Bojaxhiu shërbeu aso kohe si garant për këngëtaren Tefta T. Koço. (foto nr. 8)

Këto janë të dhënat ekskluzive që QMKSH ofron për Blitz.al në prag të shenjtërimit të humanistes Nënë Tereza. E teksa ajo vijon të akuzohet nga të huajt se veç lutjeve nuk ofroi asgjë tjetër ndërkohë që kur ishte sëmurë trajtohej me kura të shtrenjta, figura e saj përçudnohet nga heshtja e organizmave shqiptare që nuk janë në gjendje të mbrojnë historinë e vet. Nga shtëpia e Gonxhe Bojaxhiut, që shërbeu për vite radhazi si tempull dijeje, kanë mbetur vetëm rrënojat dhe një pllakë memoriale e vendosur aty, me mbishkrime në anglisht e maqedonisht (foto nr. 10). Mungon gjuha shqipe, për shkak se ndërkohë që atdhetarët e Nënë Terezës nuk bëjnë gjë për këtë shkatërrim të kësaj “vatre kulturore”, të huajt punojnë për ta përçudnuar atë sikundër figurën sublime të një gruaje me shpirt të madh që vazhdon ende e pas dy dekadash të na lartësojë emrin nëpër botë.

Falënderojmë për bashkëpunimin në përcjelljen e këtij informacioni Qendrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë.

Exit mobile version