Forumi i intelektualëve nga Struga në bashkëpunim me Qëndrën Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqipëtarë të mërkurën në Strugë, organizoi një Tribunë përuruese shkencore në temën “Flamuri kombëtar shqiptar nëpër shekuj”. Tribunën shkencore e hapi kryetari i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë të Strugës, Xhemi Hajredini, i cili theksoi se mbajtja e këtij aktiviteti përkon me shënimin e 540-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, si dhe me 5-vjetorin e themelimit të FISH (Forumi i Intelektualëve Shqiptarë) të Strugës, të cilin ai e drejton. Hajredini bëri publik axhendën e këtij aktiviteti dhe posaçërisht faktin që pjesë e tij do të ishte dhe përurimi i librit “Flamuri i Kombit Shqipëtar” i Z.Jaho Brahaj. “Flamuri ynë kombëtar ka qënë simbol që i ka përcjellë të gjitha luftërat e popullit tonë”, tha Hajredini. Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, në fjalën e tij përshëndetëse, ndër të tjera, tha se Flamuri shqiptar është më i lashti në Europë. “Ky flamur asnjëherë nuk u valvit në kështjella të huaja”, tha Merko, i cili foli dhe për pengesat që u janë bërë dhe po u bëhen shqiptarëve për përdorimin e simbolit kombëtar. Në këtë kontekst ai përmendi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, për kufizimin e përdorimit të flamurit tonë kombëtar, duke e quajtur këtë vendim thellësisht politik. Shpëtim Sala, drejtues i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë (QMKSH), pasi shprehu kënaqësinë për organizimin e kësaj tribune, në fjalën e tij, u ndal në vjetërsinë e simbolit tonë kombëtar, duke argumentuar se shqiponja si simbol është hasur qysh në kohën e parailirëve. Ndërkaq, Dr.Nebi Dervishi në referatin e tij “Flamuri shqiptar, simbol i kombit dhe i shtetit shqiptar”, u fokusua në historikun e përdorimit të shqiponjës si simbol i flamurit dhe stemës. “Shqiponja tek flamuri i Kastriotëve, simbolizon madhështinë, shkathtësinë, mprehtësinë…” etj, tha Dervishi, duke prezantuar më tej edhe mendimet e studiuesve të ndryshëm për shqiponjën si simbol. Jaho Brahaj, autor i librit “Flamuri i Kombit Shqiptar”, që në fillim të fjalës së tij theksoi se flamuri ynë kombëtar është trashëguar nga stema e Kastriotëve, ndërkaq hodhi poshte pretendimet se në vitin 1912, shqiptarët nuk kanë patur një flamur të tyre. Të pranishëm në këtë tribunë, krahas intelektualëve të shumtë nga Struga, ishin dhe studiues nga Shqipëria, si dhe pasardhës të personaliteteve si Spiridon Ilo që pretendohet se ka sjellë flamurin që Ismail Qemali ngriti në Vlorë më 1912, si dhe mbesa e Dr. Ibrahim Temos. ( E PREMTE 18 JANAR 2008, GAZETA “FAKTI”, SHKUP MAQEDONI).