Forumi i Trashëgimisë: Si kanë shfytyruar ansamblin urban në Gjirokastër

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë denoncon ndërhyrjen shfytyruese në restaurimin e një prej ndërtesave thelbësore në Qafën e Pazarit në Gjirokastër. Nga ky qytet në listën e UNESCO-s këto dy vite kanë rezultuar fatale për rrënimin e disa shtëpive edhe pse është folur që prej 2013 se do të ketë një strategji të veçantë për rivitalizimin e qytetit muze. Mbi këtë situatë të raportuar më herët, Forumi pritet të hapë një ekspozitë me humbjet nga qyteti muze

Në qendrën e zonës muzeale të kalasë së Gjirokastrës para pak kohësh, shtëpia dykatëshe ishte në rrezik shembjeje, edhe pse ishte restauruar. Kjo sensibilizoi ministren e qeverisë së mëpasshme për ta vlerësuar si një punë të dobët të kolegëve të saj paraardhës, që iu kishin lënë borxhe deri në fyt. Ndërsa kjo zonë është absolutisht më tërheqëse edhe për të huajt, vazhdon të ketë lëngatën e saj të rrënimit të shtëpive karakteristike, qoftë ato të kategorisë së parë apo dhe të tjera, që janë të mbrojtura me ligj.

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë me një jetë aktive në denoncimet e këtyre rasteve por edhe shkeljeve dhe abuzimeve mbi monumentet, ka publikuar një ditë më parë një foto pikërisht nga qendra muzeale e Gjirokastrës, shtëpinë tani me “fytyrë” krejtësisht të ndërruar duke e quajtur një “monument i shfytyrimit” që Shqipëria e fitoi!

E konsideruar si ndërtesa thelbësore e Qafës së Pazarit, Forumi ka reaguar mbi restaurimin e saj e shndërruar në një “imazh alla-Walt Disney falë një fotografie të turbullt të paraluftës, kur Gjirokastra nuk ishte vënë ende në mbrojtje dhe peizazhi historik i saj nuk ishte konsoliduar”. Forumi ka vazhduar më tej mbi këtë pamje duke e quajtur ekspertizë të dobët të Institutit të Monumenteve dhe “injorancë ulëritëse të Ministrisë së Kulturës që ka deformuar godinën, me qëllim “zbukurimi”, përmes një operacioni të thellë plastik, ansamblin e famshëm urban në Qafën e Pazarit, duke gabuar rëndë qoftë proporcionet, qoftë teknikën e ndërtimit, por sidomos vlerësimin e aspektit formal stilistik”.

Forumi ka sqaruar mbi këtë ndërhyrje restauruese: “Mospërputhja skandaloze e fasadave (tek i njëjti objekt) dhe dekontekstualizimi i ndërhyrjes, në një sit delikat e në ekuilibër shekullor, ka shkaktuar një situatë të sikletshme duke dhënë si rezultat një Gjirokastër të rikrijuar e jo të trashëguar. Njëra faqe plot me dritare, jashtë raporteve klasike të traditës, dhe tjetra ekzistuese thuajse e verbër (pra vetëm me një derë – tashmë aksidentale) do të jetë fytyra e re e objektit më emblematik të “Qafës”. Kjo plastikë radikale e panevojshme tejkalon kësisoj edhe kozmetikën jashtë kritereve restauruese që M.K. ka ndërmarrë prej kohësh. Pamja amatoriale e këtij peizazhi do jetë landmark i ardhshëm i qytetit, deri kur një komision i përgjegjshëm të rianalizojë eventualisht ndërtesën e “zbukuruar” rëndshëm.

Këto kuturisje naive të M.K. zbrazën tek e fundit edhe Këshillin Kombëtar të Restaurimit nga prania e ekspertëve autoritative në fushat përkatëse, si: Emin Riza, Aleksandër Meksi, Artan Shkreli, Afërdita Onuzi, Edlira Caushi apo Artan Puto, të cilët dhanë me radhë dorëheqjen për mospajtim me praktikat tjetërsuese ndaj siteve monumentale në Shqipëri.

Ky mandat, sa i takon Gjirokastrës, filloi mjerisht me lejimin e një hoteli abuziv, ngritur mbi një situatë hipotetike, dhe përfundoi me një rikrijim volumor po aq hipotetik e abuziv në sitin UNESCO; ndërkohë sfond i kësaj politike qe shkatërrim i pandalshëm i qytetit të gurtë, shkatërrim që këto katër vjet mori përpjesëtime katastrofike”. Forumi mbi këtë gjendje, thotë se së shpejti do të përgatisë një ekspozitë fotografike me humbjet që qyteti ka pësuar këtë periudhë, që pritet të hapet si shprehen në muajt e parë pas formimit të qeverisë së re si një “kujdesje” ndaj arrogancës së kabineteve politike që shkojnë e vijnë.

Marre nga mapo.al

Leave a Reply