Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Fragmente nga jeta e Tefta Tashko Koços

       

                         Vdes dhe nuk dorëzohem!

                  Fragmente nga jeta e Tefta Tashko Koços

Mes fletëve të një pasaporte të huaj që mbante këngëtarja kur ndodhej jashtë, gjendet një gjeth i vogël i tharë. Mbi të Tefta ka shkruar me kujdes frëngjisht vetëm dy fjale: “Vdes dhe s’tërhiqem”. Kjo ishte deviza e jetës së saj. Në 2 Nëntor të vitit 1910, Thanas Tashkos i lindi vajzë. Atë natë në hotelin e tij u grumbulluan shume miq. I uruan që të kishte jetë të gjatë, ngritën dolli për shëndetin e saj e biseduan deri vonë për atdheun e largët dhe  hallet e tij. Vajzën e quajtën Tefta. Kështu filloi jetën në Fajum të Egjiptit, Tefta jonë.

Nuk është vetëm këngëtare e mirë, por edhe muzikante e mirë. Kështu e prezantoi Tefta Tashkon profesori Gres në sallën e konservatorit, tek kompozitori francez Moris Ravel; një prej figurave muzikore më të njohura të gjysmës së parë të shekullit XX.

Me rolet kryesore të dy veprave të mëdha, shkëlqeu me tërë madhështinë e saj. Tek “Madam Butterfly” e Puçinit  ajo interpretoi rolin e Butterfly-it dhe suksesi që pati në teatër ishte  triumfal.

Duke qënë e edukuar me ndjenja të larta patriotike, ajo nuk mund të pranonte lavdinë nga një  vend i huaj duke ndarë fatin e saj nga ai i atdheut. Ne vitin 1935 në Shqipëri as që mund të flitej për teatër opere. Mungonin shkollat profesionale për edukimin artistik të brezit të ri. Veprimtaria artisike e kulturore ishte e vakët. Por Tefta Tashko Koço vdiste dhe nuk dorëzohej! Më 26 Nëntor 1935 ajo dha koncertin e parë në atdhe, në Korçë. Dalja e zonjushës Tashko në skenë me tualetin e saj aq tërheqës dhe elegant u prit me duartrokitje të pashtershme.  U vu re fytyra e saj e mallëngjyer në sallën e mbushur me bashkëatdhetarë që kishin mbushur sallën.

Në 13 dhe 24 Dhjetor në Tiranë salla e kinemasë “Gloria” u mbush me spektatorë. Zëri i saj i bukur i mbushi zemrat e njerëzve dhe i bëri të harrojnë për nje moment mjedisin ku jetonin. Duke kaluar nga skena në skenë, në qytetet kryesore,  në Shqipëri jeta artistike zuri të merrte një farë gjallërie.

Exit mobile version