Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Kalaja e Gjirokastrës e ‘riorganizuar’

Në ambientet e Kalasë së Gjirokastrës u prezantua gjatë fundjavës së shkuar, përfundimi i projektit për riorganizimin e hapësirës së blertë ku ishin të ekspozuar topat e periudhës OTOMANE si dhe riekspozimi i këtyre të fundit në të tjera kushte estetike, më cilësore dhe në përshtatje me kohën dhe tipin e këtij lloj armatimi.

Projekti, që u realizua në bashkëpunim me Korpusin e paqes dhe CHwB Albania, përkonte edhe me 12-vjetorin, ditën e përfshirjes së qytetit në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, morën pjesë Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, drejtoresha e Korpusit të Paqes për Shqipërinë, Kate Becker, drejtoresha e CHwB Albania, Lejla Hadžić, kryetari i Këshillit Bashkiak të Gjirokastrës, Armand Hilaj, kandidatja për deputete, Artemisa Dralo, ekspertë të trashëgimisë si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj, Kumbaro u shpreh se “Gjirokastra duhet të shfrytëzojë markën si qytet i mbrojtur i UNESCO-s. Gjirokastra nuk mund të ketë tjetër mundësi zhvillimi , përveçse kombinimit të potencialit të trashëgimisë kulturore me potencialin ekonomik të zhvillimit.

Sot që flasim kemi arritur në numrin e 22 mijë vizitorëve në kala, rreth 3000 vizitorë më shumë, krahasuar me një vit më parë”.

Më tej, ajo vuri në dukje se ky qytet është kthyer tashmë në një kantier ndërtimi, me synimin që të kthehet në kryeqendër të turizmit.

Imazhi i ri turistik i Gjirokastrës do të rritet me rikonstruksionin e fasadave të godinave në pjesën e poshtme të qytetit. Ky projekt vjen si një bashkëpunim i qeverisë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, i financuar nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës, në vlerën e rreth 200 milion lekëve. Ai synon rehabilitimin e fasadave të 140 godinave të ndërtuara përpara viteve 90-të.

Marre nga mapo.al

Exit mobile version