Këshilla shkencore nga Z. Stamati
Në QMKSH, koleksionet merren seriozisht. Një Flamur Shqiptar, sendet që kanë të gdhendur simbolin e shqiponjës, apo tekstilet me këtë motiv, janë fokusi ynë parësor. Por nuk mjafton vetëm ti evidentosh, apo të arrish ti kesh në zotërim këto objekte. Për një flamur të rrallë sfida e vërtetë fillon pasi e zotëron atë. Duhet konservuar me urgjencë, për të pezulluar proçeset që e dëmtojnë atë e më pas duhet menduar për restaurimin. Pa njohuritë e duhura, ky është një mision i pa mundur. Për këtë qëllim Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, ka nisur një proçes të gjerë konsultimesh. Ditën e sotme ishte i pranishëm Z. Frederik Stamati, studiues pranë Qendrës për Studime Albanologjike. Me nivelin e tij të padiskutueshëm të ekspertizës shkencore në fushën e restaurimeve, ai na këshilloi lidhur me disa rregulla themelore të konservimit, ruajtjes dhe ekspozimit të materialeve me përbërje tekstile. Me kënaqësi ne po ndajmë me ju disa prej këtyre këshillave.
- Temperatura e ruajtjes duhet të jetë maksimumi 12°C, ndërsa temperatura në ekspozim duhet të jetë maksimalisht 18°C.
- Elemino dritën e diellit dhe atë artificiale.
- Tipi i llampave tungsten, me dritë të ngrohtë.
- Lagështia relative, 40 deri 60%, niveli prej 65% i lagështisë përbën kufirin e alarmit.
- Intensiteti i ndriçimit maksimalisht duhet të jetë 50 lux, gjatë punës 20 lux, në ruajtje 0 lux.
- Ruajtja e tekstilit të bëhet shtrirë, pa palosje.
- Të mos ekspozohen varur, ose në vend të hapur.
- Të mos preken me duar pa doreza.
- Në rast të vendosjes së disa tekstileve njëri mbi tjetrin, të ndahen me acid free tissue.
- Dollapet apo sergjenet, këshillohet si më të përshtatshëm të jenë material inoxi, pas tij renditet materiali duralumini, e në fund llamarina e emaluar. Të shmanget absolutisht përdorimi i kartonëve, pllakave të zdrukthit dhe kompesatës.
- Për mbrojtjen nga insektet, duhet ulur temperatura në ruajtje deri në 11-12°C. Të bëhet kontroll i vazhdueshëm për infeksion. Të përdoren në mjediset e ruajtjes çarqe për identifikimin e insekteve.
- Duhen shmangur tymrat, pluhurat, bloza dhe ndotja nga përdorimi i sobave me gaz.
- Duhet shmangur ndotja nga tymrat e makinave.
- Duhen shmangur korentet e ajrit.
- Dinamika e temperaturës ± 1 °C në ditë.
- Dinamika e lëvizjes së lagështisë relative ± 5% në ditë.