Intervistë me z. Shpëtim Sala, kryetarin e Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, studiuesin origjinal dhe autorin e 40 ekspozitave.
Të paktë janë ata që nuk e kanë dëgjuar emrin e tij! Por shpesh ndodh ta thërasin jo me emër, por si “koleksionisti i flamujve” apo “patrioti i emblemave kuq e zi”. Ai është një koleksionist ndër të rrallët, që koleksionon pothuajse çdo gjë që ka lidhje me kujtesën e kombit, kulturën dhe historinë e shqiptarëve. Shpëtim Sala ka si busull referimi kujtesën kombëtare. Të gjitha objektet e koleksionuara prej tij, lidhen ngushtë me historinë tonë, që nga flamujt shqiptarë të periudhave të ndryshme, filatelia, heraldika, nomizmatika, bukinizmi, fotografia ejt. Në fakt shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë e njohin si koleksionist dhe autor ekspozitash, ndërsa sidomos studiuesit e huaj, i referohen si autor librash dhe studiues me një bibliografi origjinale. Në punimet studimore të Shpëtim Salës përmendim “Enciklopedia e Fotografisë Shqiptare 1854-1944”, të cilin ai e sjell bazuar pikërisht mbi fondin personal prej mbi 10 000 fotografish të rralla. E po ashtu stiudiuesi e koleksionisti Shpëtim Sala, pohon se është duke punuar edhe mbi “enciklopedi” të tjera, si ajo e printit shqiptar para ’44 (shtëpive botuese, bibliotekave, librarive etj, apo edhe orkestrave e bandave frymore të po kësaj periudhe. Ai aktualisht është kryetar i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë. Pjesëmarrës i mjaft ekspozitave dhe madje autor i shumë prej tyre. Opinioni e njeh, qoftë nga këto aktivitete, qoftë nga shumë dalje publike, intervista televizive, apo shkrime e studime analitike rreth fondit të tij të admirueshëm të eksponateve e arkifakteve të rralla dhe shpesh unike. Por cila është ajo që e josh më tepër, koleksionimi apo fusha akademike, zbulimi i të fshehtave të historisë apo dokumentimi i saj? Këto dhe një sërë sekretesh të këtij profili dhe të pathënave të punës së tij, ju ftojmë t’i zbulojmë në këtë intervistë!
- – Tashmë z. Sala ju komunikon edhe nëpërmjet website-t të Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë, QMKSH, Në këtë portal ju nënvizoni se qëllimi i kësaj Qendre është “të hedhë dritë mbi data apo figura historike me fokus parësor zhvillimin e ndërgjegjes historike të kombit shqiptar”. Kjo është arsyeja që ju kini një fushë kaq të gjerë arkivimi e dokumentimi, apo ju thjesht jini i dashuruar me koleksionimin?
– Artefaktet pjesë e koleksioneve të QMKSH janë në shërbim të plotësimit të atyre pjesëve të historisë Shqiptare të panjohura plotësisht, për të cilat ne jemi munduar të japim kontributin tonë. Format që ne përdorim janë disa si: Botimi i librave, albumeve, fletëpalosjeve dhe materialeve të tjera ilustrative. Por edhe organizimi i bisedave, seminareve mbi historinë e kombit shqiptar, si dhe hapja e ekspozitave me tematikë historike. Pra qëllimi i Qendrës është jo thjesht grumbullimi i artefakteve, por dhe shfrytëzimi dhe paraqitja e tyre përpara një publiku sa më të gjerë.
- – Ju ku i kërkoni, ku i siguroni këto eksponate?
– Së pari QMKSH ka një rrjet të gjerë koleksionistësh brenda dhe jashtë Shqipërisë, midis të cilëve ekzistojnë marrëdhënie të ngushta shkëmbimi. Së dyti në Shqipëri ekzistojnë disa tregje të objekteve të vjetra, (pazare në Korçë, Krujë, Tiranë, Shkodër etj). Së treti koleksionisti mund të blejë sot në tregjet ndërkombëtare të shitblerjes së objekteve të vjetra.
- -Në fakt shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë ju njohin si koleksionist, autor ekspozitash, “patriot i flamujve kuq e zi”, ndërsa sidomos studiuesit e huaj ju referohen si autor librash e studiues me një bibliografi origjinale. Di që ju paralelisht e për një kohë të gjatë, po punoni me një sërë materialesh. Ju lutem mund të na thoni shkurtimisht çfarë kini aktualisht në dorë?
-Ndër botimet e mia të ardhshme mendoj se do të jenë disa libra me tematikë:
-Fotografia shqiptare
-Botimet në gjuhën shqipe
-Piktorët shqiptarë
-Fjalorët e shqipes
-Leskoviku etj.
Njëkohësisht me sa më sipër, QMKSH është e gatshme të organizojë ekspozita me tematikë:
-Flamuri i Kombit Shqiptar
-Shkollat shqipe
-Lidhja Shqiptare e Prizrenit etj.
- – Ju lutem mund të na jepni disa shembuj e të dhëna në lidhje me disa nga këto studime aktuale tuajat, e pse jo edhe disa fakte krahasues në raport me ditët e sotme? Nëse mundeni, sigurisht!
– Fondet e disponushme sigurisht na shërbejnë për të bërë krahasime të së kaluarës me të sotmen. Njohja e së kaluarës na shërben si bazë njohurish për të çelur shtigje të reja në të ardhmen e për të respektuar zhvillimet kulturore në të kaluarën, në të cilën zbulojmë shembuj që na frymëzojnë për të ardhmen. Këto shembuj i ndeshim në fushën e muzikës, arteve figurative, arsimin e fëmijëve shqiptarë etj. Ja për shembull sot ne kemi në Tiranë Bibliotekën Kombëtare që nuk funksionon me kapacitetin e saj të plotë, po kështu në Durrës. Nuk ka asnje librari të mirëfilltë në Berat dhe shume qytete të tjara të Shqipërisë, ku libri ofrohet vetëm në kioska bashkë me çimçakizat dhe artikuj të tjerë dhe po t’i krahasojmë këto fakte me realitetin e viteve 30-40, jo rrallë befasohemi, për keq sigurisht. Sot në Tiranë ka 1-2 orkestra frymore, në kohën e Zogut ka patur 4-5 të tilla. E po kaq befasuese janë edhe krahasimet në aspekte të tjera, ja për shembull: Libri “Sikur të isha djalë” i Haki Stërmillit asokohe është botuar në 5 mijë kopje, ndërsa sot autorët dhe shtëpitë botuese nuk guxojnë të kalojnë tirazhin e 500-1000 kopjeve edhe pse sot teknologjia e printit është shumë më e avancuar e cilësore. Vetëm në harkun kohor 1880-1944, në Shqipëri ka patur mbi 140 shtypshkronja, fakt që tregon mbi sasinë e botimeve, reklamave etj. Gjithsesi e kaluara jonë kulturore njihet pak dhe ka shumë nevojë për hulumtim.
- – Le të mbetemi tek botimet tuaja. Jo pak është përfolur edhe një projekt i juaji studimor në lidhje me marrëdhëniet intime të figurave patriotike e historike shqiptare. Cilat janë gratë dhe të dashurat e emrave si Konica, Noli, Ahmet Zogu apo ndonjë figurë tjetër, që ne nuk e njohim aspak në këtë dimension?
-Në materialet arkivore shpesh kam ndeshur me korrespondenca apo kujtime të shkruara mbi personalitetet tona historike, raportet e tyre me vajzat apo femrat me të cilat ata kanë pasur raporte intime. Por mendoj se ende shqiptarët nuk janë të përgatitur për t’u njohur me to. Ende jemi në rrugën e civilizimit.
- –Në fakt më lejoni t’ju them se nuk jam dakort me ju. Nëse ju e botoni një libër të tillë do të bëhej shpejt best seller, por besoj se ju do ta mendoni sërisht.
-Le t’ia lemë kohës! (Qesh!)
7.- A kini bashkëpunim me institucionet shqiptare? A ju kërkojnë autoritetet përkatëse asistencë, shërbim konsulence, apo bashkëpunim të çfarëdo lloji?
-Instuticionet tona nuk e shikojnë ende të nevojshme të konsultohen me eksperiencën e QMKSH. Në nivele të ulta ka marrëdhënie të dobishme.
- – Shtëpia juaj është “një muze”! A kini menduar të jepni akses më të gjerë për publikun me hapjen e një muzeu, ose një mundësie të ngjashme, në mënyrë që ai të njihet me këto eksponate jo vetëm kur ju hapni ekspozita?
-Ne kemi projektuar për të ardhmen hapjen e një muzeu virtual për flamurin e Kombit Shqiptar, që momentalisht është paraqitur në faqen tonë të Kalendarit Historik. Në të ardhmen, me sigurimin e një ambienti të përshtatshëm, vizitorët dë të kenë gjithashtu mundësi të njihen me objektet që ne disponojmë. Kjo futet në projektet tona të afërme.
9.- Ju jeni padyshim ndër koleksionistët më elitarë në Shqipëri e ndoshta më gjerë dhe dihet që të jesh i tillë, duhet të jesh edhe i pasur. Ju jeni?
– Së pari veprimtaria e koleksionistit lidhet me njohuritë që ka ai me historinë e popullit të vet.
Së dyti, një koleksionist nuk mund të koleksionojë gjithçka. Fusha e koleksionimit duhet të lidhet me prirjet, pasionin, formimin etj.
Së treti pasurimi i koleksioneve lidhet më shumë me investimin e kohës se sa të parave. Shpesh harxhojmë një kohë të gjatë për sistemimin e materialeve, ruajtjen e tyre etj.
- – Cili prej shumë koleksioneve tuaja ka vlerë më të madhe shpirtërore? Po financiare? A është e matshme vlera e një koleksioni?
-Së pari vlerat e koleksioneve janë shpirtërore. Vlerat materiale të koleksioneve sot mund të pëcaktohen nga katalogët, që botohen çdo vit. Një koleksionist i përgatitur mund të përcaktojë edhe vlerën financiare të një koleksioni.
- – Sipas jush cilat nga arkivat e huaja mund të jenë “miniera ari” për informacione e dokumente të pazbuluara dhe decizive për të zbardhur ngjarje e rrethana, apo hedhur dritë mbi personazhe të historisë sonë?
– Historia e Shqipërisë është e lidhur dhe e pashkëputur me ato pjesë të trojeve tona që janë lënë të paktën që nga viti 1912 jashtë trojeve tona. Në arkivat e Athinës, Beogradit, Cetinjës etj, ruhen mjaft dokumente të rëndësishme mbi historinë e Shqipërisë.
- – Dhe në fund të kësaj interviste z. Sala ne mund të takohemi me ju shumë shpejt, në një ekspozitë që ju po organizoni me rastin e festës sonë kombëtare e që pritet të hapet ne ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Ju lutem mund të na thoni çfarë do të shohim atje dhe çfarë vlere ka kjo ekspozitë e radhës për ju? Cilët janë organizatorët apo bashkëpunëtorët tuaj në këtë rast?
-Ekspozita do të organizohet në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar, më dt. 28 nëntor, ora 11. Në ekspozitë do të paraqiten 40 flamuj, pronë e QMKSH dhe 10 flamuj të depozituar në fondet e MHK. Kjo për të realizuar plotësimin me flamuj të cilët QMKSH nuk i disponon. Kështu ne do të realizojmë një ekspozitë të plotë.