Kuvendi i Maqedonisë votoi Qeverinë e re të udhëhequr nga lideri socialdemokrat Zoran Zaev. Në mbështetje të Qeverisë votuan 62 deputetë nga maxhoranca e re e përbërë nga koalicioni i LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët. 44 deputetë votuan kundër dhe 5 kane abstenuar.
Kryeministri Zoran Zaev gjatë fjalimit të tij para votimit theksoi se Qeveria e tij do të jetë e përkushtuar për reforma të thella, kthimin e jetës në Maqedoni, si dhe rikthimin e besimit të qytetarëve tek institucionit. Ai komentoi akuzat e disa deputetëve të opozitës.
Zaev premtoi zgjidhje për kontestin e emrit, duke gjetur gjuhë të përbashkët me opozitën dhe çdo propozim duke e çuar në referendum popullor shkruan INA.
Ai foli edhe për ruajtjen e karakterit unitar të Maqedonisë dhe respektimin e plotë të Kushtetutës. Zaev kërkoi që të shmanget gjuha nacionaliste dhe të respektohet të gjithë etnitetet në Maqedoni. Kryeministri i ri tha se është krenar që partia e tij në zgjedhjet e fundit mori mbi 40 mijë vota të qytetarëve dhe se sipas tij, pse kjo të mos ndodhë edhe me ndonjë parti shqiptare, që të marrë votat tek maqedonasit.
Ai foli për një sërë masash në planin ekonomik dhe zgjidhjen e problemeve sociale të qytetarëve.
Është e saktë se programi qeveritar ka edhe pjesë të Deklaratës së partive shqiptare, theksoi Zaev, duke thënë se çdo gjë e mirë për vendin është përfshirë në këtë program.
Qeveria e re përbëhet nga 25 ministra, ku shumica prej tyre janë nga LSDM dhe koalicioni i saj, pjesa tjetër nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët.
Marre nga mapo.al