Maturantët i nënshtrohen sot provimit të parë me detyrim, atij të gjuhës së huaj.
Janë mbi 40 mijë maturantë që sot nisin sfidën e tyre të parë duke iu nënshtruar provimeve më të rëndësishme të mbylljes së sistemit arsimor parauniversitar.
Testi për provimin e Anglishtes do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje alternative, që vlerësohen nga 1 pikë secila dhe 12 pyetje janë me zhvillim, që vlerësohen me 37 pikë.
Testi do të vlerësohet me 50 pikë.
MAS u ka bërë apel kandidatëve që të mos kopjojnë, pasi në të kundër rrezikojnë pezullimin.
Një ditë më parë ministrja e Arsimit, Mirela Karabina ka garantuar mësuesit dhe nxënësit se procesi do të monitorohet rreptësisht.
Ajo bëri me dije se çdo tendencë apo përpjekje për të shkelur rregullat e maturës do të ndëshkohet.
Për këtë çështje foli edhe kryeministri Edi Rama gjatë një tubimi elektoral.
“Në këmbim të votave, po ofrohen tezat e maturës.
Garantoj nxënësit dhe prindërit se tezat e maturës nuk mund t’i ketë askush për pazar.
Shqipëria nuk mund të mbahet me kopje.
T’i japim fund iluzionit se shkolla merret me kopje.
Të çojmë përpara reformën në arsim,” tha Rama.