Një muze me 50 flamuj të rrallë shqiptarë

Shtëpia e tij mund të konsiderohet pa frikë një muze. Shpëtim Sala, një koleksionist i njohur në Tiranë jeton në rrugën Don Bosko në një banesë private. Kjo e ka ndihmuar shumë që të ketë ambient për të zhvilluar pasionin e tij, koleksionin. Aty gjen shumëçka, që nga dëftesat e rralla të nxënësve të parë shqiptarë e deri te flamujt që janë përdorur ndër vite në Shqipëri.

Sala, njëkohësisht, është dhe Kryetar i Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë. Vitet e fundit ka hapur disa ekspozita në kryeqytet vetëm me ato çka ka mbledhur ndër vite. Më e fundit ishte ajo e hapur në muajin mars ku në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozoi dokumente, regjistra, dëftesa shkollore, blloqe të shkollave shqiptaro-amerikane në vendin tonë.

“Këtë herë Sala po punon për realizimin e një dëshire: Të bëjë bashkë në një sallë të gjithë flamujt që janë përdorur në vendin tonë.”

Muzeu pritet të ketë rreth 50 flamuj, që datojnë nga viti 1905 deri më 1944, të ruajtur nga familje si familja Sala e Toptani. Veç tyre, në muze do të ekspozohen edhe objekte të tjera, si ballë arke me gdhendje shqiponje, qëndisma me shqiponjë, si dhe objekte të tjera që datojnë që nga shekulli XVIII. Ndonëse ende nuk është zgjedhur vendi i muzeut, koleksionisti thotë se, “Jemi në kërkim të një amienti të përshtatshëm, i cili pasqyron edhe vlerat e këtij muzeu, si i pari muze privat mbi flamurin në Shqipëri”.

Shpëtim, keni hedhur idenë e një muzeu me flamuj, pse?

Prej vitesh kemi koleksionuar një numër të madh flamujsh kombëtare me rëndësi historike të cilët i kemi paraqitur në ekspozitat e hapura që nga viti 2006 në Vlorë, Tiranë, Pogradec, Prishtinë, etj. Tani mendoj se materiali i grumbulluar është i plotë dhe mëse i mjaftueshëm për hapjen e një muzeumi privat mbi flamurin.

Sa flamuj do të ketë në muze dhe si keni arritur ti koleksiononi?

Në muze do të paraqiten rreth 50 flamuj kombëtarë, të cilët i kemi blerë ose na janë dhuruar nga familjarët, miqtë apo dhe dyqanet e antikuareve në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ky koleksion u nis me flamurin e qëndisur më 1919 nga bashkëshortja e patriotit Sali Sala e u trashëgua brez pas brezi në familjen time.

Cili është më i rrallë ndër ta dhe cila është e veçanta e tij?

Më i rralli ndër ta është flamuri-emblemë i klubit “Gjuha Shqipe” në Shkodër, i vitit 1910. Në të bënin pjesë Kol Idromeno, Gjergj Fishta, etj. Qëllimi kryesor i këtij klubi ishte lëvrimi dhe përhapja e gjuhës shqipe.

Janë origjinal, dhe si janë ruajtur deri në ditët e sotme ?

Nga flamujt që do paraqiten në muze 35 janë origjinalë dhe 5 të tjerë janë riprodhime të cilët shërbejnë për të plotësuar kronologjinë e imazhit të flamurit në etapa të ndryshme historike. Këta flamuj deri vonë ne i kemi ruajtur në ambjentet e shtëpisë. Pjesa më e madhe e tyre janë restauruar, vënë në korniza, sipas mundësive, por jo gjithmonë është bërë më e mira duke pasur parasysh vlerat e mëdha që përmbajnë relike të trashëgimisë kulturore dhe historike.

 

Ka qenë e vështirë për ti gjetur dhe për ti bërë bashkë?

Sigurisht që po, për shkak dhe të periudhave që ka kaluar Shqipëria, me kalimin e kohës flamujt bëhen gjithmonë e më të rrallë dhe më të vështirë për t’u siguruar, megjithatë dëshira e madhe për t’i bërë bashkë dhe pasioni për t’i koleksionuar këta flamuj na ka bërë që të kemi sukses në grumbullimin e tyre.

Mendoni se ky muze do të ketë interes?

Ky do të jetë i pari muze i flamurit në Shqipëri, i bazuar në kriterin kronologjik, me materiale origjinale, ku përveç flamujve do të ketë dhe eksponate etnografike si emblema të gdhendura, punime në dru, bronx, pambuk, mëndafsh dhe dokumente origjinale si libra, periodike, etj. që mbështesin ecurinë e flamurit shqiptar ndër shekuj.

 

Mund të na rrëfeni historinë e ndonjë flamuri, pjesë të koleksionit tuaj. Nëse ka ndonjë histori pikante, të mënyrës se si është realizuar, apo të personit që e ka ngritur apo e ka ruajtur ndër vite?

Mund të flasim për flamurin-emblemë të klubit “Gjuha Shqipe”, i cili është ideuar nga Kel Marubi në vitin 1910 në Shkodër. Flamuri mbahej në ambientet e klubit “Gjuha Shqipe”. Flamuri u ble në dyqanin e Abaz Peratit në Krujë nga unë në vitin 2007. Është paraqitur në ekspozita të ndryshme të organizuara në Tiranë, Vlorë, Prishtinë, Prizren, etj. Në Shqipëri janë gjithsej dy flamuj-emblema: Flamuri i shoqërisë “Dëshira”, i cili u realizua nga Polikseni Luarasi në 1892, si dhe flamuri që ne disponojmë, i cili është i vitit 1910, dhe të dy janë unikë.

Shpëtim, koleksionimi është pasioni juaj, përveç flamujve, me çfarë po merreni tjetër tani?

Në koleksionin tim, përveç flamujve bëjnë pjesë dhe koleksione të tjera, si fotografia, koleksion ky që sot përmban mbi 10 000 fotografi të rralla. Mbi bazën e tyre unë kam shkruajtur librin Enciklopedia e Fotografisë Shqiptare 1854-1944. Për momentin, po merremi me regjistrimin e të gjitha materialeve me rëndësi historike në QKIPK.

Entela Resuli

Gazeta “DITA”

10 Gusht 2016

Leave a Reply