Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Papa Françesko emëron tre ipeshvijtë e rinj në Shqipëri

Kisha Katolike në Shqipëri priti tre ipeshkvijtë e rinj të emëruar nga Papa Françesku. Për dioqezën e Sapës, Ati i Shenjtë Bergoglio emëroi ipeshkëv, administratorin aktual dioqezan, don Simon Kulli; për dioqezën e Rrëshenit, Papa emëroi ipeshkëv don Gjergj Metën, vikarin aktual të përgjithshëm të kryedioqezës së Tiranë-Durrësit; për Administraturën Apostolike të Jugut, u emërua ipeshkëv rregulltari barnabit, misionar në Milot, atë Giovanni Peragine.

Radio Vatikani njoftoi se plotësohet kështu nevoja në kishat përkatëse dioqezane, ku ipeshkvijtë aktualë kanë mbushur moshën e pensionit. Njoftimi i emërimit të ipeshkvijve të rinj u bë në orën 12.00 në Vatikan e po kështu edhe në selitë dioqezane përkatëse.

Nga emërimet e reja ipeshkëvnore vërehet se Kisha Katolike e Shqipërisë po kalon dalëngadalë në duart e thirrjeve të para vendase në meshtari. Dy prej ipeshkvijve të rinj janë pinjollë të asaj toke e Kishe, larë me gjakun e martirëve, fryti i të cilit tashmë është i dukshëm e mund të preket me dorë.

 Por edhe në figurën e ipeshkvit të ri të Jugut, vlerësohet lidhja e ngushtë e Kishës me misionarët e përkushtuar, për të cilët Shqipëria është bërë atdheu i dytë e vendi i bashkëpunimit në misionin e përbashkët të përhapjes së Lajmit të Mirë të Ungjillit në trevat shqiptare.

Nuk mund të mos kujtojmë ipeshkvin e ndjerë të Sapës, imzot Lucian Avgustinin, aq të dashur nga besimtarët, por edhe ipeshkvijtë, që tashmë dalin në pension: imzot Hil Kabashi për administraturën apostolike të Jugut dhe imzot Cristoforo Palmieri për dioqezën e Rrëshenit. Ata u dorëzojnë ipeshkvijve të rinj një thesar të çmueshëm shpirtëror, kishtar, shoqëror e kombëtar.

Ky emërim nga Papa Françesku është bekim i mëtejshëm për Kishën Katolike në Shqipër,” përfundon RV.

Marre nga mapo.al

Exit mobile version