Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Projekt: 50 Flamujt e rrallë shqiptarë në një muze

Një muze privat për flamujt e rrallë shqiptarë është propozimi i koleksioistit Shpëtim Sala, i cili prej një kohe të gjatë i është kushtuar mbledhjes së relikeve të shumëllojshme. Muzeu pritet të ketë 50 flamuj që datojnë nga viti 1905 deri më 1944, të ruajtur nga familje dy prej të cilave janë familjet Sala e Toptani. Veç tyre, në muze do të ekspozohen edhe objekte të tjera si ballë arke me gdhendje shqiponje, qëndisma me shqiponjë si dhe objekte të tjera që datojnë nga shek.XVIII. Sala vëren se një pjesë e madhe e tyre përfaqësojnë rrugëtimin nëpër shekuj të flamurit kombëtar shqiptar. Ndonëse ende nuk është zgjedhur vendi i muzeut, koleksionisti thotë se “jemi në kërkim të një ambienti të përshtatshëm, i cili pasqyron edhe vlerat e këtij muzeu, si i pari muze mbi flamurin në Shqipëri.

Më poshtë gjeni intervistën e plotë:

-Sa flamuj do keni ne muze?

Në muze do të kemi rreth 50 flamuj.

-Cilët janë këta flamuj, në cilat ngjarje historike kanë qenë?

Flamujt datojnë nga viti 1905 e deri në vitin 1944. Ato janë shpalosur në ngjarje të ndryshme përkujtimore, mes të cilëve po përmend  flamurin e vitit 1905 i cili ka marrë pjesë në kryengritjet në Veri të Shqipërisë, flamurin e klubit “Gjuha Shqipe”, Shkodër  të vitit 1910 si edhe flamurin e  realizuar në vitin 1908 nga Shoqëria “Besa Besë”, ardhur nga Amerika në Korçë. Ky flamur ka marë pjesë në lëvizjet kryengritëse të Korçës.

-Cila është historia pas tyre? Ku janë ruajtur dhe nga kush?

Një pjesë e tyre janë ruajtur nëpër familje si : Familjla Sala, Familja Toptani, etj.

-Ku mendoni ta hapni muzeun?

Për momentin nuk e kemi  zgjedhur akoma përfundimisht vendin. Jemi në një kërkim të një ambienti të përshtatshëm, i cili pasqyron dhe vlerat e këtij muzeu, si i pari muze privat  mbi flamurin në Shqipëri.

 

  • -Cila eshte sipas jush vlera monetare e tyre?

Për sa i përket kësaj pyetje, më vjen keq sepse nuk mund të japim një informacion të saktë sepse as regjistrimi i tyre në QKIPK nuk ka përfunduar akoma.  Megjithatë dimë të themi, siç edhe kuptohet se vlera e këtij koleksioni është tepër e madhe dhe e pazëvëndësueshme.

  • -Cili eshte flamuri me i vjeter, i cilit vit?

Flamuri më i vjetër është një flamur i kryengritjeve në zonën e Veriut të Shkodrës, i vitit 1905.

 

  • -Ne teresi, keta flamuj kur datojne? Me te hershmit cilet jane?

Flamujt datojnë nga viti 1905 e deri në vitin 1944. Përveç flamujve muzeu do përqëndrohet dhe në larmishmëri materialesh të rëndësishme historike, që mbështesin rrugëtimin e flamurit nëpër shekuj. Përveç këtyre do përfshihen dhe objekte të tjera, si p.sh. ballë arke me gdhendje shqiponje, qëndisma me shqiponjë, si dhe objekte të tjera që datojnë që nga shek. XVIII.

 

  • -A ka ndonje prej flamujve qe perbejne nje lloj zbulimi historik, ose i japin tjeter informacion historise?

Një pjesë e madhe e tyre përfaqësojnë rrugëtimin nëpër shekuj të flamurit kombëtar shqiptar.

  • -Ne cfarë  gjendje fizike jane?A  kane nevoje per restaurim?

Flamujt  janë përgjithësisht në gjendje të mirë fizike, por përsëri kanë nevojë për konservim dhe restaurim.

 

  • -A e keni koleksionin tuaj te regjistruar, te certifikuar? Pra, a e keni te deklaruar ne QKIPK?

Momentalisht, jemi në proces certifikimi. Nuk e kemi përfunduar akoma regjistrimin në QKIPK.

(Fatmira Nikolli, Gazeta Shqiptare 28 korrik 2016)

Exit mobile version