Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

QMKSH ju fton të konsultojmë së bashku projektligjin e ri “Për Trashëgiminë Kulturore”

QMKSH

Qendra Mbarëkombëtare e Koleksionistëve Shqiptarë, ju fton të konsultoni projektligjin e ri “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”. Jeni të lutur të na përcillni mendimet dhe sugjerimet tuaja në adresën e postës sonë elektronike info@qmksh.al

Pasi të jeni njohur me projektligjin, kemi menduar të zhvillojmë një takim me koleksionistët, me qëllim që të hartojmë dhe përcjellim një material përmbledhës duke adresuar vërejtjet e aktorëve dhe faktorëve që preken nga projektligji.

QMKSH falenderon Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Më poshtë mesazhi i Ministres Kumbaro.

“Të dashur Miq, të nderuar Kolegë,

Na lejoni modestisht të ndajmë me Ju projektligjin e ri “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.

I hymë një pune të gjatë e të thellë.

Tre vjet në këtë skuadër të Ministrisë së Kulturës, duke punuar e reflektuar mbi përdorimin e ligjit aktual, dispozitat e të cilit janë rregullisht objekt diskutimi e shqyrtimi jo vetëm në praktikën administrative të Ministrisë së Kulturës por edhe te institucioneve partnere; tre vjet edhe në mbledhjet maratonë të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë dhe në ato të Këshillit Kombëtar të Restaurimit; tre vjet duke u përpjekur te ngremë një sistem funksional të menaxhimit të trashëgimisë dhe të promovimit të saj si burim zhvillimi dhe jo si natyrë e vdekur – gjithë kjo kohë ka qenë e mjaftueshme për të kuptuar se ligji aktual nuk i përgjigjet të gjitha kërkesave të kohës.

Ai lë pa përgjigje shumë pyetje dhe për pasojë krijon hapësirë për subjektivizëm.

Ligji aktual nuk  orienton të ardhmen se si do të administrohen e mirëmbahen pasuritë kulturore, si  do të pajtohet trashëgimia me zhvillimin e territorit, me nevojat e njerëzve, si do të përfshihet pushteti lokal në këtë zhvillim, si do të realizohet lëvizja e pasurive kulturore të luajtshme, si do të ndërtohen partneritetet me pronarët, me donatorët me biznesin, e kështu me radhë.

Më shumë se dy vjet punë nga grupi i Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim me institucionet e varësisë dhe ekspertë të trashëgimisë kulturore, më shumë se 4-5 variante janë përpunuar e ripunuar, me dhjetra e dhjetra mbledhje ku janë rrahur  mendime e debate shpeshherë fort të zjarrta.

U jemi referuar disa përvojave në Europë, nga Italia deri në Bullgari, kemi integruar të gjitha konventat europiane të ratifikuara nga Shqipëria, kemi pajtuar këtë projektligj me direktivat e Bashkimit Europian, jemi konsultuar me manualet e UNESCO-s, ICOMOS-it dhe të ICOM-it, për të qenë në një linjë me përkufizimet e tyre dhe me direktivat e BE-së.

Por as kjo nuk do të mjaftonte për të mbërritur te ky projektligj nëse s’do të kishim mbështetjen e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për zhvillim, dhe ekspertizën ligjore të studios Haxhia&Hajdari si dhe të disa ekspertëve të mirënjohur në fusha të ndryshme ligjore që ndërthuren në këtë ligj.

Sot këtë projekt e përcjellim te ju. Ai nuk është ndoshta i përsosur por është i plotë.

Ne do t’iu ishim shumë mirënjohës sikur të mund ta shfletonit plotësisht ose pjesë të tij, sipas interesit dhe fushës tuaj të ekspertizës, për të na sugjeruar, korrigjuar, plotësuar.

Ju falenderojmë përunjësisht dhe mbetemi në pritje të fjalës tuaj në një kohë sa më të shpejtë

Juaja

Mirela KUMBARO

Ministre e Kulturës

Exit mobile version