Aktorja e dashur për publikun, Matilda Makoçi rikthehet në ekran. Makoçi tregon se si u bind të rikthehej në kinematografi pas kaq shumë vitesh mungesë dhe me çfarë filmi do ta shohin gjithë ata që e kanë dashur aq shumë nga ekrani.
Ai që do të rikthejë Matildën në ekran është filmi që do ta sjellë në moshën që ka.
Natasha Bega, ne ekspoziten e te ciles u shfaq per here te pare pas shume vitesh mungese, nuk zbuloi shumë detaje rreth tij, por na tregoi se në qendër është një histori dashurie me shumë dinamika.
“Kam zgjedhur edhe aktorët, tani duhet të gjejmë përkrahësit financiarë, në mënyrë që gjërat të përfundojnë mirë”, thotë Bega.
Kurse vetë Matilda tregon: “Për mua është më mirë që u shty pak realizimi i filmit. Sado që isha e mbushur me emocione të bukura, kisha nevojë për kohë që të rifitoj sigurinë. Besoj që në shtator do të ndihem më e qetë dhe do të jem më gati”, tregon Makoçi.
Ajo teksa flet është bashke edhe me Adriana Puleshin. Biseda rreth miqësisë së saj dhe Puleshit, që ka nisur që kur ishin 10 vjeçe, të dyja në klasë të katërt, ishte e paparashikuar.
Ishim takuar të flisnim për filmin e ri artistik me të cilin Matilda Makoçi shpreson të shfaqet sërish në ekran dhe përfunduam rrugicave të dikurshme të “Myslym Shyrit”, me kujtimet e Adit dhe Matit. Që nga ato të hershmet që tani u kujtohen vetëm si hije e deri te vitet e bukura të Akademisë së Arteve, kur Matilda Makoçi ishte në vëmendjen e të gjithëve.
“Kemi qenë të tria bashkë kur operatori Ilia Tërpini e pa për herë të parë Matin e më pas e zgjodhi që ta përfshinte në film. Bashkë me ne ishte edhe një shoqe tjetër. Sa pamë sytë e Ilias që treguan vëmendje, sepse e njihnim dhe e dinim se për çfarë ishte ‘në kërkim’, u pozicionuam të tria, secila me shpresën që do të zgjidhej. Në fakt, të tria e dinim që e zgjedhura ishte Mati, por na pëlqente të silleshim siç diktonte mosha dhe dëshirat e kohës”, kujton Puleshi nga koha kur Makoçi sapo nisi kinematografinë.
Marre nga mapo.al