Site icon Qendra Mbarekombetare e Koleksionisteve Shqiptare

Shëna Ndou i Padovës dhe misteri i mrekullive të kishës së Laçit

Dikur Kisha e Laçit ishte një nga Kishat më të dashura, më të ndjekura. Pastaj prej saj mbeti vetëm një shkëmb i lëmuar nga buzët e besimtarëve, që lanë aty, mijëra lutje, dalë nga zemrat, shkruan Radio Vatikani në një artikull. Kështu shkëmbi i thatë u kthye në simbol shprese e qëndrese.

Pushteti komunist i përdori të gjitha mjetet e mundshme për ta zhdukur nga kujtesa e shqiptarëve atë vend të shenjtë. E nga zemrat, njërin nga Shenjtorët më të dashur të botës së krishterë.

Por as propaganda, as kërcënimet, as policët e ushtarët e rreshtuar, nuk qenë në gjendje ta ndalonin procesioinin e gjatë, të vijueshëm të shqiptareve që vit për vit, posaçërisht më 13 qershor, shkonin për të nderuar kujtimin e Shenjtit e për të kërkuar ndihmën e Tij.

Studiuesit e kësaj dukurie të pashembullt në mes të terrorit të Shqipërisë komuniste, ende nuk kanë arritur ta shpjegojnë këtë mister: një regjim gjakatar thyhej përballë një Shenjti.

E edhe përballë vullnetit të popullit, për ta dëshmuar haptas besimin në një nga Shenjtorët më të njohur në historinë e Kishës katolike. Në atë dështim pa dyshim, ishte fryma hyjnore, që dukej e ridukej, me gjithë pushtetin e vet hyjnor, të papërballueshem nga pushtetet tokësore, shprehur përmes mrekullive, të “Shenjtit të mrekullive”.

Një kishë e rrënuar, gjithnjë në këmbë: Laçi

Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet mbas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar, që me kultin e Tij, u bë udhërrëfyes i shqiptarëve në udhën drejt Krishtit. Ndërmjet disa Kishave kushtuar shenjtit, ndërtuan edhe atë të Shna Ndout, në Sebaste, kishë që u ngrit rreth vitit 1300 dhe u rrënua më 1971. Në këtë kishë shërbyen shumë meshtarë, ndërmjet të cilëve, Atë Shtjefën Gjeçovi, i Lumi Atë Mati Prenushi, Atë Klement Miraj, Imzot Robert Ashta, Atë Zef Pllumi…

Sot kisha e bukur, e rindërtuar mbi kodrën e Laçit, pret e përcjell njerëz të gjitha besimeve, dëshmitarë mrekullish…

Një mrekulli, ndërmjet shumë të tjerave… (Ritreguar sipas një dëshmie)

Në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës mori urdhër të shkonte te kodra e “Shna Ndout”, në Laç,  për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit. Të krijohej përshtypja se qeveria kishte frikë edhe nga rrënojat. Ndërtesa qe shembur në vitin famëkeq 1967, kur regjimi komunist doli haptazi në shesh të mejdanit kundër Kishës.

E, natyrisht, edhe kundër Shëna Ndout.  Duel i heshtur i armës me uratën! Po më kot u mundua t’ua presë udhën besimtarëve. Një frymë misterioze i tërhiqte aq, sa të përballonin deri diktaturën, që nisi të shqetësohej seriozisht për këtë fenomen. Prej këndej ushtarët e zonës morën urdhër t’i hidhnin në erë muret e, me ta, të shlyenin përgjithmonë edhe kujtesën e kishëzës e të Shëna Ndout.

Pasi e shembën një pjesë të rrethimit, 32 ushtarët e togës  mbetën, çuditërisht, të paralizuar nga mesi e poshtë. Ishte një fenomen i pashpjegueshëm. Mbetën të ngrirë, aty, mbi mur, ku erdhën e i morën me shpejtësi. Nuk ishte më fjala për të zhdukur ca gërmadha. Duhej zhdukur çdo gjurmë e një mrekullie të gjallë, të prekshme që, megjithë kujdesin e qeverisë, e si çdo lajm i ndaluar, mori menjëherë dhenë. Pushteti popullor i nisi disa prej ushtarëve të ngurrosur për mjekime në Austri, për 6 muaj, ndërsa të tjerët, në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Ushtarët u ngritën përsëri në këmbë pas shumë mjekimesh. Por gjithnjë me pasoja të dukshme. Fenomeni mbeti i pashpjegueshëm. Qeveria bëri çmos ta justifikonte ngjarjen, duke pohuar se ishte helmim nga ushqimi, por kjo diagnozë nuk u provua kurrë shkencërisht. Historia mbeti, edhe sot e kësaj dite, e veshur me mister. E regjistruar ndërmjet shumë mrekullive të tjera, në kujtesën popullore. Sa mirë do të ishte të kujtohej dikush e t’i mblidhte mrekullitë e Laçit në një libër kushtuar Shenjtit, nga shqiptarët mirënjohës.

Marre nga mapo.al

Exit mobile version