Nëpërmjet letrës së Senatit të Raguzës, datë 18 Maj 1430, drejtuar ambasadorit të vet në Bosnjë, mësojmë mbi shtypjen e kryengritjes së Gjon Kastriotit. “Sulltani pushtoi Selanikun, thuhet në letër, dhe pasi mori një pjesë të njerëzve të tij e i dërgoi në More dhe një pjesë kundër zotërimeve të vendit të Gjon Kastriotit. Gjonit ata i morën katër fortesa…që i rrafshuan përdhe…”. Por ai, mundi të merrej vesh me Turqit dhe të shpëtonte një pjesë të zotërimeve të veta, me kushte shumë të rënda. Kruja dhe Sfetigradi, i kaluan ushtrisë turke; krahina e Dibrës, u shkëput nga zotërimet e Kastriotëve. Gjoni u ngarkua me një haraç të rëndë, u detyrua si më parë të shërbente në ushtrinë turke dhe të dërgonte në Stamboll, djerntë e vet si peng të Sulltanit.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare