Gjuhëtari, historiani, bibliografi, pedagogu, përkthyesi dhe diplomati Gjergj Pekmezin një ndër diplomantët e parë shqiptarë, të Universitetit të Vjenës, u lind më 23 prill 1872. Me ndihmën e tij, më 1903, u themelua në kryeqytetin austriak katedra e gjuhës shqipe në Institutin Oriental të Vjenës. Kryevepra e tij mbetet, “Gramatika e gjuhës shqipe”, që u botua me 1908. Gjergj Pekmezi, mori pjesë në veprimtarinë e “Komsisë letrare”, në Shkodër dhe më 24 Shtator 1916, u zgjodh edhe kryetar i saj. Bashkë me Ndre Mjedën dhe albanologun slloven Nahtigal, studioi të folmen e Elbasanit. Më 1920, u emërua inspektor i studentëve shqiptarë që studionin në vendet e Europës Qëndrore. Më pas, u përfshi në shërbimin diplomatik shqiptar dhe shërbeu si konsull i Shqipërisë në Vjenë. Në vitin 1924, transkriptoi dhe botoi veprën folklorike “Bleta shqiptare”, të Thimi Mitkos dhe drejtoi revistën studentore “Djaiëria”, që dilte në Vjenë. Një thesar të vërtetë për historinë dhe kulturën tonë, përbën dokumentacioni i vjelur gjatë 23 vjetëve, në arkivat e Vjenës, ku përfshihen relacionet e konsujve të huaj, që vepronin në Shkodër, Prizren, Janinë, Stamboll, Shkup, Manastir dhe Selanik, ky dokumentacion i pasur, është botuar në dy vëllime.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare
You may also like
-
23 Shkurt 1925, francezi Aleksandër Kole pikturon shqiptarët
-
23 Shkurt 1843, referat i prof. Franc Bopi në Akademinë e Shkencave të Berlinit; shqipja është një gjuhë indoevropiane
-
23 Shkurt 1848, u botua nga De Rada gazeta “L’albaneze d’Italia”
-
23 Shkurt 1921, u lind albanologu i shquar Italian Xhovani Batista Pelegrini
-
23 Shkurt 1923, lindi kompozitorja Dhora Leka