Vetëm 27 vjeç ishte poeti ynë i madh Millosh Gjergj Nikolla, ose siç njihet nga lexuesit e shumtë me pseudonimin e tij Migjeni, kur mbylli sytë në Tore Feliçe të Italisë, më 26 Gusht 1938, por la një grusht perlash të papërsëritshme në thesarin e kulturës sonë kombëtare. Ato pak vargje “të lira”, bombë e flamur, e lemerisën regjimin e kohës dhe shpejtoi t’i ndalojë edhe autorin e tyre, t’a degdisë në fshat. Por në vend që të nënshtrojë zemrën e poetit, e përflaku edhe më shumë, pikërisht atje. Ai me aq dhimbje, sa dhe forcë, u këndoi tullumave me gojën e hapur të Lulit të Vocër dhe ngriti në piedestalin e demokracisë, foshnjën e kallkanosur nga acari që vriste dhe vret në kasollen e malësorit. Vdiq poeti i ri, në Gusht të vitit 1938, për të kaluar në përjetësi, për t’u kthyer në një ideal, sidomos për kohën tonë, që i mungojnë idealet.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare