28 Shkurt 1208, Papa Inocenti i III i shkruan princit Dhimitër të Arbërit

Që në shekullin XII, në trojet e sotme të Shqipërisë së Mesme u krijua principata e Arbërisë. Sundimtari i parë i saj ishte Progoni, më pas erdhi Gjini dhe pas vdekjes së tij fronin e sundimtarit e zuri i vëllai Dhimitri. Kalimi i sundimit në formë trashëgimie tregon jo vetëm forcimin e pozitave politike e shtetërore të prijësve arbëreshë por edhe lindjen e një dinastie arbërore. Jo rastësisht Dhimitri e quan veten  “arhond i madh” që do të thotë kryezot, princ i Arbërisë. Si kryezot i Arbërisë ai u njoh edhe në arenën ndërkombëtare. Në letrën që i drejtonte, më 28 Shkurt të vitit 1208, Papa Inocenti III, e quan atë burrë fisnik, princ i arbëreshëve. Një vit më vonë, po ky papë e quan Dhimitrin “gjykatës i arbëreshëve”, titull që kishte kuptimin e sundimtarit. Letra e 28 Shkurtit 1208, është ndër dokumentat e paktë që ka arritur deri në ditët tona dhe ka një rëndësi të madhe sepse është një lloj letre diplomatike apo letre kredenciale. Nëpërmjet saj Ati i Shenjtë, sikurse bëhet në dokumentat diplomatike të këtij lloji, porosit që arkidiakoni i dërguar prej tij të pritet me nderime.

Referencat:

Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare