Sipas marrëveshjes së Vjenës, të nënshkruar në Prill të vitit 1941, nga ministri i jashtëm i Gjermanisë, Ribentrop dhe ministri i jashtëm i Italisë, Konti Ciano, viset shqiptare në Jugosllavi, u ndanë midis pushtuesve gjermanë, italianë dhe bullgarë. Nën administratën italiane, u përfshi pjesa më e madhe e Kosovës, si dhe disa vise shqiptare në Malin e Zi e në Maqedoni. Në Dekretin Mbretëror të Viktor Emanuelit, datë 7 Gusht 1941, të gjitha këto territore iu bashkuan Shqipërisë, duke krijuar kështu të ashtuquajturën “Shqipëri e madhe”. Në këto vise, u vendos administrata me nëpunës shqiptarë, u hapën shkolla shqipe dhe nisi botimi i gazetave dhe librave në gjuhën shqipe. Ndërkohë pjesë të tjera të territoreve shqiptare, hynë në administrimin e fashistëve bullgarë, kurse rrethet e Mitrovicës, Vushtrisë, Llapit, Podujevës, për shkak të burimeve të pasura natyrore dhe pozitës strategjike, mbetën në zonën gjermane të pushtimit. E ashtuquajtura ”Shqipëri e madhe”, e krijuar nga fashistët italianë, nuk ishte Shqipëria etnike, ajo nuk përfshinte të gjitha territoret shqiptare. Jashtë saj mbetën disa vise shqiptare me rëndësi ekonomike e strategjike, si dhe Çamëria në jug të vendit. Me këtë akt, pushtuesit italianë synonin të përmbushnin interesat e tyre ekonomike dhe politike, tëzgjeronin zonën e pushtimit dhe të qetësonin shqiptarët, t’i largonin ata nga rruga e luftës. Pavarësisht nga lehtësitë, që krijoi për zhvillimin e gjuhës dhe të arsimit, për komunikimin e njerzve të një gjaku, etj.. ky bashkim nuk ishte zgjidhja e problemit kombëtar dhe nuk kishte të ardhme, pasi aleatët antifashistë, kishin deklaruar se nuk do të njihnin asnjë ndryshim kufijsh, që do të bënin agresorët nazifashistë dhe çështja e kufijve, do të zgjidhej pas luftës me vetvendosje.
Referencat:
Thimi Çollaku / Kalendari i botës shqiptare
You may also like
-
28 dhjetor 1914, Franca dhe Rusia protestojne prane Italise, trupat e se ciles kishin pushtuar Vloren.
-
28 Dhjetor 1457, Skënderbeut i jepet titulli Kapiteni i Përgjithshëm i Selisë së Shenjtë
-
28 Dhjetor 1925, hyri në fuqi “Marrëveshja Tregëtare Provizore” Shqipëri-Amerikë
-
28 Dhjetor 1927, lindi piktori Fatmir Haxhiu
-
28 Dhjetor 1976, u miratua Kushtetuta e re; “Shqipëria është diktaturë e proletariatit”