Besimtarët myslimanë kremtojnë sot Fitër Bajramin. Pas ditëve të agjërimit, lutjeve, adhurimeve dhe leximit të Kuranit, mijëra besimtarë ishin pjesë e festimeve dhe faljes së namazit të Bajramit të organizuar në sheshin “Skënderbej” në Tiranë.
Festimet e Fitër Bajramit kanë filluar që në orët e para të mëngjesit me namazin e sabahut.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, theksoi në fjalën e tij se “festa e Fitër Bajramit është lehtësim i shpirtit, është kënaqësia e brendshme që buron prej shpresës së përmbushjes së adhurimit dhe përfitimit të faljes prej Allahut, Mëshiruesit Fuqiplotë”.
“Bajrami është dita e lehtësimit të brengave, është dita e shpresave të reja, është dita e të kujtuarit për njëri-tjetrin, është dita për të gëzuar fëmijët me dhurata dhe përkëdhelje, është dita për të respektuar të moshuarit me mirënjohje dhe dashuri, është dita për t’u gjendur pranë të gjithë atyre njerëzve që presin interesimin dhe vëmendjen tonë”,- tha Bruçaj, sipas “ATSH”.
Të rrethuar nga një atmosferë e ngrohtë besimi e vëllazërie, pjesëmarrësit e shumtë janë përshëndetur dhe kanë ndarë me njëri-tjetrin gëzimin dhe emocionet e kësaj dite të madhe paqeje, mirësie e shpërblimi.
Fiter Bajrami është festa, e cila bëhet pas mbarimit të muajit të Ramazanit.
Emri Fitër Bajram vjen nga fakti se myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, dhe kështu në këtë mënyrë festojnë së bashku këtë festë.
Festa e Bajramit festohet duke falur namazin e Bajramit.
Në ditën e Fitër Bajramit është një ditë feste, ku tavolinat mbushen plot e ku ka disa ushqime tradicionalë që shoqërojnë këtë festë ndër vite.
Marre nga mapo.al