Të dilje kundër Enver Hoxhës, në një sallë, që ende oshtinte nga brohoritjet “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”, duhej të kishe një guxim prej të marri. Ishte Kongresi i dhjetë i Partisë së Punës së Shqipërisë. Qershor i vitit 1991.
Sistemi diktatorial ishte në grahmat e fundit dhe kjo i bënte ithtarët e tij edhe më agresivë. Pikërisht në këtë kongres, shkrimtari Dritëro Agolli, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, do të dilte hapur kundër politikës së vjetër, kundër linjës së Enver Hoxhës dhe byroistëve. Platforma e tij do të nxiste reagime ekstreme.
Përveç thirrjeve kërcëllitëse me “varje në litar” e “pushkatime”, Agolli do të merrte dhjetëra letra me kërcënime… “Salla u revoltua shumë nga fjalët që thashë, sepse ata nuk e prisnin që unë të kritikoja Enverin. Ata kundërshtuan me britma e ulërima, më dërguan pusullka, që më shanin dhe më kërcënonin me jetë.
Dikush më thoshte se unë kisha qenë i përkëdhelur i sistemit dhe se unë kisha pasur shumë poste në parti, se unë kisha pasur edhe një grua ruse etj. Salla ulërinte me të madhe ‘Enver Hoxha, Enver Hoxha!’. Disa u ngritën dhe ikën të inatosur, kryesisht anëtarë të KQ. Kur mbarova fjalën unë nuk shkova në karrigen që kisha lënë bosh në sallë, por vendosa të qëndroj pranë gazetarëve, afër tribunës ku ishte presidiumi.
Gazetarët po qëndronin në anë të sallës dhe unë u kërkova të më lironin një copë vend të rrija atje. Ju thashë, se po të vete atje, ata do të më rrahin dhe them të rri më mirë këtu me ju, se jam më i sigurt”, ka treguar disa vite më parë për gazetën “Panorama”, Dritëro Agolli. Pikërisht në këtë kongres do të lindte edhe Partia Socialiste.
Marre nga balkanweb.com