Edicioni i 36-të i seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe kulturës shqiptare ka mbledhur në Universitetin e Prishtinës përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës. Dita e parë është fokusuar në momentin e ri, interesimin e brezave të rinj të mërgatës shqipe për të mësuar apo përmirësuar gjuhën shqipe, edhe pse rezulton pa kapacitete për ta parë këtë kërkesë
Mërgata shqiptare gjendet sot në një moment të ri, që lidhet me interesimin e brezave të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria për të mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre. Për shkak të mungesës së kapaciteteve, gjuhëtarë e studiues janë shprehur me shqetësim për kulturën e shqipes, duke e vënë në fokus të diskutimit të tyre në ditën e parë të seminarit te Seminari i 36-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që nisi dje në Universitetin e Prishtinës. Si çdo vit mblidhen përfaqësues universitarë, albanologë dhe studentë nga vende të ndryshme të botës, të cilët gjatë dy javëve do t’u mësojnë gjuhën shqipe përmes kurseve intensive. Drejtori i seminarit, Rrahman Paçarizi ka thënë se sivjet kanë shënuar numër rekord të kërkesave për pjesëmarrje në kurset e mësimit të shqipes.
Sipas tij, momenti i ri është interesimi i brezit të dytë e të tretë të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova e Shqipëria për ta mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre, me ç’rast është shprehur se fatkeqësisht nuk ka kapacitete për të mjaftueshme për t’iu dalë zot këtyre kërkesave. “Sot jemi në rrethana krejt të reja të globalizmit, janë krijuar plot rrugë për t’u njohur me gjuhën, letërsinë e kulturën shqiptare. Normalisht këto rrethana kishim me e zbeh rëndësinë e seminarit, por nuk ka ndodh ashtu. Sivjet kem përjetuar numër rekord të kërkesave për pjesëmarrjen në kurse për mësimin e shqipes. Moment i ri është interesimi i brezit të dytë e të tretë të mërgatës shqiptare me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria, për ta mësuar ose përmirësuar shqipen e tyre”, ka thënë Paçarizi. Ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami ka thënë se do të përpiqen që së bashku me Republikën e Shqipërisë që ta krijojnë një linjë të veçantë buxhetore për seminarin, duke e shndërruar kështu në ngjarje shtetërore. “Seminar ky i cili ka kaluar nëpër faza shumë të rëndësishme të zhvillimit të Kosovës, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare duke mbledhur albanologët nga e gjithë bota dhe duke u shndërruar në një forum të rëndësishëm shkencor, kërkimor dhe hulumtues, dhe padyshim se kjo ngjarje që po mbahet në muajin gusht paraqet edhe ngjarje të rëndësishme kërkimore shkencore, por edhe kulturore, sepse ka tubuar albanologët nga të gjithë shtetet e botës”, -tha ai.
Lindita Rugova, dekane e Fakultetit Filologjik, theksoi se ky fakultet, si organizatori më i madh i këtij seminari, do të vazhdojë të frymojë me produktin e tij më cilësor dhe më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht. “Dyzet e tre vjet pas organizimit të Seminarit të parë Ndërkombëtar të Albanologjisë në Prishtinë, Fakulteti i Filologjisë si organizator i këtij aktiviteti të madh shkencor dhe kulturor të Albanologjisë do të vazhdojë të frymojë me produktin e tij më cilësor dhe më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht. Pjesëmarrësit e përvitshëm të aktivitetit shkencor dhe kulturor, do të vazhdojnë të bëjnë krahasime të cilësisë së sesioneve, të ligjëratave dhe të aktiviteteve të edicioneve të ndryshme të seminarit. Do t’i analizojnë prezantimet dhe do t’i zbërthejnë të thënat dhe të pa thënat e këtij seminari”, -tha Rugova. Ndryshe, punimet e këtij seminari do të mbahen nga sot e deri më 25 gusht, ndërsa ato do të zhvillohen përgjatë tri sesioneve, atë të gjuhës, letërsisë dhe kulturologjisë. Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, por edhe me albanologjinë përgjithësisht. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e pesë sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Marre nga mapo.al